Fundamenti

Partitë marrin 4.2 milionë euro nga Kuvendi

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Partitë politike vazhdojnë të mbesin me nivelin e dobët të zhvillimit të demokracisë së brendshme, pavarësisht shumave të mëdha të mjeteve financiare që marrin nga shteti. Vetëm nga buxheti i Kosovës, subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvend marrin mijëra euro, madje edhe miliona, për zhvillimin e demokracisë, por këto mjete, ato i përdorin më shumë për paga, mallra dhe shërbime, pagesa të qirave të objekteve e tjera, se sa për demokratizim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 25 janar ka marrë vendim që të ndajë 4 milionë e 200 mijë euro nga Fondi për mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2016. Në bazë të këtij vendimi, do të përfitojnë 15 subjekte politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Uji Dea

Sipas vendimit të KQZ-së, meqë është partia që ka më së shumti ulëse në Kuvend, PDK-ja do t’i marrë 1 milion e 295 mijë euro, Lidhja Demokratike e Kosovës 1 milion e 50 mijë euro, Lëvizja “Vetëvendosje” 560 mijë euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 385 mijë euro, Lista Serbe 315 mijë euro, “Nisma për Kosovën” 210 mijë euro, Partia Turke (KDTP) dhe koalicioni VAKAT nga 70 mijë euro, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës PDAK 35 mijë euro, Progresivna Demokratska Stranka 35 mijë euro, Nova Demokratska Stranka 35 mijë euro, Partia Liberale Egjiptiane 35 mijë euro, partia e Ashkalinjve për Integrim 35 mijë euro, Koalicia za Gora 35 mijë euro dhe Kosovski Nevi Romani Partia me 35 mijë euro./zeri/