RCCOLA

Partitë manipulojnë me fatura

/ 3 minuta lexim

Auditori i Pavarur ka zbuluar se partitë politike në Kosovë, fshehin shpenzimet, donatorët dhe bëjnë manipulime me fatura, duke u ikur kështu obligimeve tatimore.Partitë, si ajo në pushtet, ashtu edhe ato të opozitës, për manipulimet e tilla kanë marrë vërejtje nga Auditori i Pavarur, raport ky të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Këto parti, kanë deklaruar shuma minimale të donacioneve, ndërkohë që janë munduar t’i arsyetojnë shpenzimet kryesisht me paratë që zyrtarisht u ndahen nga buxheti i shtetit.Ato janë gjetur se bëjnë pagesa me para të gatshme dhe jo përmes transfereve bankare.

Partia e kryeministrit Hashim Thaçi, sipas Auditorit, në pasqyrat financiare nuk ka paraqitur vitin paraprak si vit krahasues. “Disa shpenzime nëpër degët nuk janë arritur të dokumentohen, ku shpenzimet që janë verifikuar nëpër degë kemi hasur në disa shpenzime që nuk mbulohen me fatura siç kërkohet me ligjet fiskale, por vetëm me kuponë”, thuhet mes tjerash në raport.

Auditori përmend po ashtu se të hyrat dhe shpenzimet nga Fondi për Demokraci për grupin parlamentar të PDK-së nuk janë të prezantuara në pasqyrat financiare. Në raport thuhet se PDK ka në shfrytëzim objektin, për të cilin nuk paguan qira dhe se kjo vlerë nuk është e prezantuar si kontribut në natyrë në mallra dhe shërbime.

Fidanishtja

“Në disa raste donacionet në të holla nuk kanë paraqitur adresën, numrin e identifikimin dhe datën e dhënies së donacionit, që është në kundërshtim me Ligjin për Financimin e Partive Politike”, shkruan në raport. Ky auditor rekomandon PDK-në që të gjitha të hyrat dhe shpenzimet të dokumentohen me dokumente mbështetëse siç janë faturat, kontratat etj. “Donatorët që kontribuojnë me të holla duhen t’i përmbahen Ligjit për Financimin e Partive Politike”, shkruan në raportin e auditorit.

PDK deklaron 3600 euro nga anëtarësia

PDK ka deklaruar të hyra nga buxheti 1 milion euro, ndërsa nga anëtarësia ka grumbulluar vetëm 3.600 euro, kurse donacione dhe kontribute 36 mijë euro, të hyrat e fushatës për këtë parti figurojnë të jenë 65 mijë euro. Kjo parti deklaron se gjatë vitit 2012 zyrtarisht ka pasur shpenzime në vlerë prej 891 mijë euro, prej tyre vetëm për paga dhe kompensime 481 mijë euro.

Kurse 149 mijë euro është shuma e pagesave që janë bërë me mbi 5 mijë euro për furnizim me karburante, mirëmbajtje, pajisje etj.