Partitë aktuale të pareformueshme, duhet alternativë e re

Analistët: Kosova ka nevojë për një alternativë të re politike, e cila do të mund të sillte ofertë të re, pasi që qytetarët janë në kulmin e zhgënjimit.
“Kosova ka nevojë imediate për alternativa të reja politike, por e keqja është se nuk ka njerëz të guximshëm që të dalin para popullit dhe të tregojnë se Kosova ka dështuar në çdo aspekt dhe se ky shtet ka nevojë për ndryshime. Detyrë prioritare e partive të reja mbetet që mos të bëhen argat i pozitës apo njerëzve të klaneve partiake dhe nëntokës kriminale”, u shpreh eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot”
Analistë të politikës dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se është shumë e vështirë që partitë aktuale politike mund të reformohen, në mënyrë që të kenë konkurrencë fer në zgjedhjet brendapartiake, për të nxjerrë nomenklatura të shëndosha politike, me atdhetarë që e duan popullin apo që edhe më tutje përcaktohen për klanet partiake dhe të nëntokës kriminale dhe nuk po lejojnë në asnjë mënyrë që të ketë reformime, sepse kështu i mbrojnë interesat e tyre klienteliste dhe kriminale. Prandaj analistët dhe qytetarët tanë po konsiderojnë se në Kosovë ka vend edhe për një alternativë të re politike, e cila do të mund të sillte ofertë të re në këtë kohë kur qytetarët janë në kulmin e zhgënjimit. Analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot” thotë se tani të gjitha partitë politike duhet patjetër të reformojnë Ligjin për zgjedhje e pastaj të shkohet në zgjedhje.”Ka pasur shumë gjëra të paligjshme dhe pa reformë nuk do të duhej të shkohet fare në zgjedhje, prandaj duhet bërë ndryshimet substanciale, përndryshe gjasat janë të dukshme që të përsëriten sërish dështimet dhe pasojat nga sistemi i pareformuar zgjedhor”, u shpreh ai.
Liderët partiakë, si diktatorë të përjetshëm
Hertica thotë se qoftë si individ, qoftë si shoqëri është shumë e qartë se nuk mund të ndërtojmë demokraci të mirëfilltë parlamentare pa demokratizimin dhe reformimin e partive politike, të cilat garojnë për pushtet, apo që aktualisht qeverisin vendin, ngase gati të gjithë të punësuarit në institucionet shtetërore të Kosovës janë anëtarë dhe militantë të partive politike.”Kjo dukuri po vërehet qartë nga mungesa e guximit për hapjen e debatit të brendshëm dhe demokratik tek të gjitha partitë politike dhe për këtë ngecje është mosrespektimi i mendimit ndryshe brenda subjektit, meqenëse udhëheqësit partiakë, pa dallim, vazhdojnë të sundojnë apo të mbeten sulltanë me partinë, me logjikën e eliminimit politik të kundërshtarëve dhe konkurrentëve të tyre”, u shpreh ai.”Të gjitha partitë duhet patjetër që të reformojnë Ligjin për zgjedhje e pastaj të shkohet në zgjedhje, sepse me këtë trend të politikës së brendshme partiake çdoherë do të kemi të njëjtën situatë politike në vend”, vlerësoi ai. Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot” thotë se skena politike fatkeqësisht dominohet prej subjekteve politike, të cilat qysh me kohë e kanë dezertuar ose pamundësuar interesin nacional, e kanë instaluar klientelizmin dhe nepotizmin. “Këto dy fenomene kanë arritur për ta çmontuar çdo mundësi progresive, çdo mundësi për sistematizim profesional e moral. Kjo qasje sa negative aq edhe horizontale ka ndikuar në ndërtimin e një tipi të dështuar institucional, tipi që i ka mbështetur praktikisht disa subjekte që kanë menaxhuar tashmë e 20 vjet më resurset publike”, vijoi më tej ai. Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot”, tha se reformimi i partive politike në Kosovë për momentin është shumë vështirë të ndodhë, ngase këtë nuk do ta lejojnë klanet.”Prandaj, Kosova ka nevojë imediate për alternativa të reja politike, por e keqja është se nuk ka njerëz të guximshëm që të dalin para popullit dhe tregojnë se Kosova ka dështuar në çdo aspekt dhe se ky shtet ka nevojë për ndryshime. Detyrë prioritare e partive të reja mbetet që mos të bëhen argat i pozitës apo njerëzve të klaneve partiake dhe nëntokës kriminale”, u shpreh Kelmendi.
GRUPACIONI I RI, MISION I VËSHTIRË
Sa i përket formimit të një grupacioni të ri politik, me idenë se mund të transformohet aktualiteti në një më produktiv, konsideroj se është e pamundshme dhe jo lehtë e realizueshme, pasi qytetarët janë ngopur me ide e premtime publike, janë mbushur me vizione politike, vlejnë të përmendim aktualitetin politik, i cili gjithnjë e më shumë po e argumenton pamundësinë funksionale të ndonjë subjekti politik”, vlerësoi analisti Arsim Haziri për “Kosova Sot”.
QYTETARËT, TË ZHGËNJYER NGA POLITIKANËT MASHTRUES
Qytetarët tanë janë të zhgënjyer me lidershipin e deritashëm të partive politike, andaj thonë se po kërkojnë alternativa të reja në skenën politike të Kosovës. Qytetari nga Prishtina, Gëzim Latifi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se Kosova ka nevojë imediate për parti të reja politike, ngase këto parti politike që janë në skenë që nga paslufta tashmë e kanë treguar veten dhe si të tilla ato me qeverisjen e tyre të brishtë e kanë zhgënjyer popullin plotësisht dhe e shtrinë përtokë. “Dhe më e mira do të ishte sikur këto parti politike të zhbëhen të gjitha. Andaj për vendin shpëtimi do të ishte një forcë e re politike që do ta bënte ndryshimin radikal dhe drastik, sepse populli është i lodhur nga këto parti politike. Ngase këto më nuk e meritojnë që të votohen. Andaj, Kosova ka nevojë imediate për ndryshime radikale në politikë. Duhet filluar nga ndërrimi i kryetarit të shtetit që nuk po i respekton Ligjin dhe Kushtetutën e vendit, kurse veç saj nuk po funksionojnë Kuvendi dhe Qeveria”, potencoi ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Donat Graiqevci, për “Kosova Sot”, thotë se Kosova ka nevojë për një alternativë të re politike në mënyrë që të vijnë forca të reja politike që janë të zgjedhura nga populli, sepse deputetët e tashëm në Kuvend duhet ndërruar, ngase ata po i mbrojnë vetëm interesat partiake dhe të klaneve e familjarëve të tyre, kurse për popullin nuk po mendojnë fare. Sipas tij, Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politike të shkolluar.
(Kosova Sot)