Mobi Casa

Partisë së Drejtësisë s`i japin më poste

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Partia e Drejtësisë nuk do t’i marrë dy postet zëvendësministrore që ia ka kërkuar Shefit të Qeverisë. Burime të Express bëjnë të ditur se përgjigja e Kryeministrit për kërkesën e kahershme të PD’së, është negative dhe se ky vendim nuk ka gjasë as të negociohet më.

Ferid Agani nuk do t’i marrë dy postet qeveritare të cilat ia ka kërkuar shefit të ekzekutivit për dy bashkëpartiakët e tij.

Hashim Thaçi i ka thënë jo, kërkesës së PD’së për një post zëvendësministror në Ministrinë e Diasporës për Abdullah Klinakun dhe të njëjtin post në Ministrinë e Kulturës për Feti Mehdiun.

Dëshirën për t’i marrë këto dy poste kryetari i PD’së, ia kishte adresuar muaj më parë Qeverisë, përmes partnerit të tij të koalicionit, Liderit të AKR’së Behgjet Pacolli.

Por, burime të Express bëjnë të ditur se Thaçi dhe Pacolli jo vetëm që janë pajtuar që për PD’në të mos ketë asgjë më tepër se posti ministror që mban lideri i saj, por edhe që kërkesa e tyre të mos negociohet më.

“Përgjigja është negative. Bile as që po diskutohet më për këtë çështje se s’ka çka aty”, ka thënë një zyrtar i AKR’së i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Fundamenti

Ditë më parë Agani, në një bisedë për Express është shprehur i bindur se përgjigja ndaj kërkesës së tij, të cilën e quajti reale, do të jetë pozitive.

Ndërsa ka thënë se po pret përgjigjen e Pacollit dhe Thaçit për të vendosur për qëndrimin e partisë së tij.

Pacolli ndërkaq, duket se me të bindur shefin e shefin e ekzekutivit për t’ia dhënë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk është interesuar që t’ia plotësojë kërkesat edhe partnerëve të vogël në koalicionin partiak.

Riformatimi i kabinetit qeveritar nisi javën e kaluar kur partia e Behgjet Pacollit fitoi të shumëdëshiruarin post ministror në MZHE për Fadil Ismajlin, ish-drejtorin e KOSTT’it. Ndërsa, ish-Ministri i MZHE’së, Besim Beqaj u dërgua në dikasterin e financave.

Koalicioni Kosova e Re me liderin e saj Behgjet Pacollin, aktualisht në Parlamentin e Kosovës ka 8 deputetë: 2 nga të cilët janë të Partisë së Drejtësisë, 3 të AKR’së, 1 i Listës Ibrahim Rugova, 1 i NDS’së dhe 1 i PDAK’së.(express)