ARKATANA

Partia si strehë horrash

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Baton Haxhiu – Nuk ka parti që në vete nuk strehon njerëz që vazhdimisht bien ndesh me ligj e moral. Të tillët nuk largohen, përkundrazi mbrohen deri kur nuk shkon më. Pse është kështu? Historia e aderimeve të fundit manifeston një zhvillim që është dramatik për zhvillimin e vendit

Njëri nga autorët kryesor të “DerSpiegel”, ThomasWieczorek (Republika e korruptuar: 2012) që me vite ka trajtuar këtë temë konkludon se politika, «partitë nuk kanë humbur sensin dhe ndikimin për shkak të mungesës së programeve të tyre konkrete, por më shumë për arsye se janë shndërruar në shtabe profiterësh, diletantësh, egoistësh, firmash e familjesh», të cilave seç u ka ra në kokë ende të munden ta imitojnë atë serialin e “Dynasty” të viteve të 80 -ta ku klani i Denver-ëve dukej të kishte kapur Dallasin për vete. Gjersa Wieczorek shkruan për demokracinë gjermane, teoria e tij del analiza më adekuate e zhvillimeve në shtetet e Ballkanit. Ai bën fjalë pikërisht për atë kategori njerëzish të cilët që nga paslufta e këndej janë në fakt bllokuesit, stagnuesit dhe demoluesit kryesorë të proceseve të demokratizimit, privatizimit, konsolidimit të shoqërisë. Me ç’kategori individësh kemi të bëjmë?

Kështu më dalin edhe familja Kadriu dhe më e madhja e tyre Margarita.
Ata si familje bëjnë biznes, kanë media, janë në politike dhe ndërtojnë marrëdhënie me Serbinë. Dhe në fund janë edhe patriotë me profesion. Unë kam respekt për njerëzit që afarojnë. Kanë përpjekje për të siguruar rroga dhe bëjnë çmos që të jene afër punës. Por kur dëshirojnë të gjitha atëherë ju vjen era dhe kundërmojnë. Nuk bën edhe media, edhe politikë, edhe patriot edhe biznes.

Figurat shfaqen sikur me qenë binjakë të Pip-it dhe Estella-s së Charles Dickensit në romanin e tij “Pritjet e mëdha”. Pipi jetim dhe i rritur moçaleve dhe si rob tek nallbani Joe Gargery, një ditë gjen të lidhur mbi varret e fshatit kriminelin Magwitch, të cilit i ndihmon të çlirohet dhe të emigrojë. I fundit në shenjë mirënjohjeje ia paguan shkollimin. Pipit i rritet mendja, bën jetën e snobit dhe me çdo kusht do të inkuadrohet në klasën e aristokratëve. Korridoreve të tilla njofton Estella-n, e cila gjendet në mision: për t’iu hakmarrë meshkujve për shkak të tradhëtimit të shpeshtë të përkujdesëses së saj Miss Havisham. Pip-it, i cili ëndërron kthimin e Magwitch me pasuri të madhe që ta realizojë finalen, të bëhet kryearistokrati i vendit, i fundoset ëndrra pasi shteti konfiskon pasurinë e të dytit si të vjedhur. Kthehet në fshat, tek nallbani ku gjen edhe Estella-n e thinjur dhe me depresione; dy të parealizuar kthehen tek rrënjët e tyre, të varfër dhe të diskredituar. Ndërmjet fillimit dhe finales së këtij romani, mirëpo Pipi dhe Estella arrijnë të mashtrojnë, të jenë me një fjalë megadestruktorë e rrethit ku sillen, të shoqërisë.

SISTEMI I KAPJES

Partitë politike janë adresa e parë e oligarkëve, grupeve, individëve dhe lobeve të ndryshme që kanë për synim infiltrimin e politikës për interesa të veta. Kjo për arsye se partitë parlamentare janë ura më efektive për të ndikuar, qoftë në përpilimin, modifikimin apo aprovimin e ligjeve, qoftë në sigurimin e tenderëve apo edhe krijimin e privilegjeve të ndryshme për biznese të firmave, familjeve e rrjeteve të shumta që operojnë brenda shoqërisë kosovare.

Në kushtet e demokracisë kosovare ende nuk janë etabluar lobet profesionale, të atilla si në vendet e perëndimit që ndërtojnë rrjetet e tyre në interes të segmentit ekonomik, social e politik dhe kanë zyrat e tyre legale në parlament. Shtabe që edhe pse gjithmonë të kritikuara për egërsinë e tyre kapitaliste, asociale dhe njëdimensionale – sidomos tek ato që mbrojnë doktrina të veçanta OJQ-ësh – ato nuk guxojnë të manovrojnë brenda zonës gri për shkak të observimit të mediave dhe gjyqësisë së pavarur.

Në Kosovë situata s’ka si mos të ishte ndryshe. Në mungesë të organizatave profesionale biznesore dhe shoqërisë serioze civile, në mungesë të lobeve normale, partitë politike dhe parlamenti janë caku si i individëve të parealizuar me forcën e vet, ashtu edhe i grupeve, familjeve dhe lloj lloj klubesh fanatike, profitere, firmash pa adresë e të ngjashme.
Kapja e partive politike ndodh nga individë të egërsuar për të realizuar veten. Njerëz pra që kanë veten si projekt e jo interesat e partisë, vendit, demokracisë, por që nën maskën e të fundmëve duan t’i realizojnë qëllimet e tyre personale, të cilat shpesh e rëndom janë kundër konkurrencës së lirë, mbarëvajtjes së ligjeve dhe rregullave që i kërkon një sistem politik pluralist si ky kah don të ecë Kosova. Kjo taktikë pushtimi e partive politike doli në syprinë, sidomos gjatë sezonit të “aderimeve” të famshme ku në PDK, LDK dhe gjithandej depërtuan madje me tamtame njerëz nga gjithandej e që të lenin përshtypje sikur politika dhe shteti të kenë dështuar vetëm për shkak të mungesës së tyre. Se gjithë kjo ishte e pamenduar mirë nga hierarkitë e partive politike dëshmohet kohët e fundit, pas shpërthimit të aferave të ndryshme rreth po atyre personave.

Mobi Casa

NJË SHEMBULL KONKRET

Margarita Kadriu aderoi në PDK. Si nënkryetare pa qenë kurrë anëtare. Nga erdhi kush ishte? Opinioni deri ato çaste e njihte si vajzën e pronarit të së përditshmes “Kosova Sot”, e cila drejtonte gazetën dhe menaxhonte vajzën e saj të mitur spektakleve televizive muzikore. Opinioni konfrontohet po ashtu tash e sa vjet me një dilemë etike rreth po të njëjtës: spekulohet që të jetë e pamëshirshme ndaj punonjësve në firmat e saja dhe madje thuhet që me vite u zhvilluaka një proces gjyqësor, ku e apostrofuara është e paditur nga një ish punëtor i shtypshkronjës së gazetës dhe i cili përbetohet; zonja Kadriu t’ia ketë hedhur gjysmën e krahut në shportë bërlloku dhe të mos jetë përkujdesur fare për hospitalizimin e tij. Akuzë makabre që nga perspektiva humane as që mund të paramendohet dhe mund të jetë ekzagjerim. Megjithatë saga përfolet gjithandej.

Pas aderimit në PDK romani biografik i zonjës gati dickensian trashet: Odave ekonomike amerikane e evropiane qarkullojnë dokumente që tashmë i kanë edhe mediat vendore e të cilat dëshmojnë se pronat e Kadrinjve nuk janë de facto të tyre, por të ish zv/kryeministrit të Millosheviçit dhe miliarderit serb Miroslav Mishkoviç, me të cilin operuakan në biznes që nga fillimi i viteve të 90-ta, para, gjatë dhe pas luftës.
Këto stacione biografike sado të fryra të jenë, janë i vetmi version, sepse i kundërti nuk ekziston. Përkrah këtij narrativi nuk ka tjetër që do ta përgënjeshtronte këtë, sepse zonja nuk ka certifikata tjera aktivitetesh shoqërore, intelektuale, politike, që këto do t’i bënte ose sekuenca gabimesh njerëzore ose si të pakta karshi sukseseve tjera të saj.

PARTITË SI AZIL

Është e drejtë e çdo Fagini, Pip-i, Estelle (Dickens) Margarite, Joseph Fuché-je (Zweig), Idioti (Dostojewski), Felix-i (Mann) e Magwitch-it të tentojë të relizojë veten si autoprojekt gjithandej, po aq sa është edhe detyrë e partive politike të mos jenë magnet figurash të tilla, të mos mbesin strehë horrash, të dështuarish dhe karaktere labilësh, që sa herë që zgjohen ndeshen me ligj e moral.

Pa higjienizimin e radhëve të partive nga individë e eksponentë të tillë, jo vetëm partitë politike nuk do të çlirohen kurrë nga “mallkimi” i prokurorëve dhe masave, por as Kosova si shtet dhe vend nuk do të arrijë kurrë ta konsolidojë veten.

Këta individë do t’i përcjellin partitë politike teposhtës, sepse mbjellin dubiozitetin, korruptimin, nepotizmin si kulturë, metodë dhe sistem të vetëm realizimi të ‘Njeriut Kosovar’, e tjerët, të ndershmit fitojnë përshtypjen të mos kenë asnjë vlerë si resurs intelektual, human e social. Estella prishtinase është shembulli më eklatant i kësaj drame.