Parlamenti i Kosovës, një teatër me aktorë amatorë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Rexhë Hasani- Besoj se shumë qytetarë të Kosovës, janë të zhgënjyer nga seancat e fundit të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Nga kjo e fundit, duket se institucionet dhe procedurat parlamentare të këtij parlamenti nuk funksionojnë siç duhet. Ky parlament gjithnjë po përdoret si një teatër e që aktorët janë mase amatorë. Sa i përket komisioneve ato nuk analizojnë politikat, nuk marrin në pyetje ministrat dhe nuk konsultohen me ekspertë të pavarur për t’u informuar më mirë mbi politikat, apo zhvillimet e legjislacionit.

Nga kjo del se mungojnë seanca të planifikuara rregullisht për Kryeministrin, që t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Në shumë vende të BE-së, Kryeministri shfaqet para parlamenteve të tyre çdo javë për t’iu përgjigjur pyetjeve, për çdo çështje që deputetët duan të ngrenë dhe se nga kjo del një debat i ndezur dhe demokratik.

Disa nga deputetët kosovarë duken shumë teatral dhe qytetarët e rëndom këtë e vërejnë e lere më pjesa intelektuale. Kodi i mirësjelljes së deputetëve të Kuvendit nuk ka pësuar ndonjë ndryshim për dallim nga rregullorja e punës së Kuvendit. Ndërkohë që fyerjet dhe akuzat bazë e pabazë madje duke u rikthyer për çështje personale gjatë seancave kanë qenë pjesë e jetës parlamentare.

Më tepër janë të përcaktuara të drejtat shtesë të deputetëve se sa vetë kodi i mirësjelljes. Deputetët e Kuvendit kanë të drejtën të fyejnë, të akuzojnë, kritikojnë dhe nuk i nënshtrohen kurrfarë sanksionimi për dallim nga kolegët e tyre në shumë vende të rajonit. Ndërsa opinion publik, i cili në transmetimin televiziv përcjell punën e të zgjedhurve të tyre, shumë herë deri më tani kanë dëgjuar fyerje që mund të jenë të pakëndshme edhe në rrugë. Kodi i mirësjelljes së deputetit përmban shtatë pika, ku deri më tani në këto vite të pluralizmit kosovar nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Fundamenti

Edhe këtë vit sikurse vite të kaluar ka pasur mjaft debate të nxehta në të cilat ka pasur fyerje dhe akuza nga më të rëndat, të cilat kanë “fluturuar” jashtë Parlamentit, duke qenë se të gjitha seancat përcillen drejtpërdrejt nga televizioni publik i Kosovës.

Por deri më tani nuk ka pasur asnjë nismë si të ndalen fyerjet dhe akuzat ose të konstatohet vërtetësia e tyre, në mënyrë që të apostrofuarit të dalin para përgjegjësisë. Kodi i mirësjelljes nuk kufizon deputetin në atë që flet në mikrofonin e Kuvendit, dhe se ata nuk mund të sanksionohen për shkak të fjalëve të tyre fyese. Me një fjalë ata mbesin përgjegjës për atë që flasin vetëm para zgjedhësve të tyre.

Ka mendime që kufizimi i fjalës për shkak të fyerjeve do të nënkuptonte si kufizim i lirisë. Ka mendime që të ndiqet praktikat e vendeve të rajonit ku ekzistojnë sanksione material për shkelje të rregullores. Madje në kod nuk është parë dënimi me kërkim falje publike të deputetit në seancat plenare që transmetohen drejtpërdrejt.
Kodi i vendeve evropiane para së gjithash merret më së shumti me konfliktin e interesit. Megjithatë, edhe këtu ka mjaft mangësi.

Në pikën e parë e cila i referohet ndershmërisë, deputetët janë të detyruar të deklarojnë për çfarëdo interesi privat, që mund të jetë i rëndësishëm për detyrat e tyre publike dhe duhet të ndërmarrin hapa për zgjidhjen e konflikteve eventuale për ta mbrojtur interesin publik, por që deri më tani kjo nuk është parë në praktikë. Se a do të mund të shohim “teatër parlamentar” me vlera parlamentare, na mbetet të presim seancën e radhës.