Paratë e Privatizimit, Thaçi s’mund t’i përdorë për premtime
Gjithçka që është shitur pas lufte në Kosovë, si fabrikat dhe pronat e tjera shoqërore, kapin shumën rreth 700 milionë euro. E këto para kryeministri Hashim Thaçi po synon t’i përdorë për të realizuar premtimet e tij të bëra kohët e fundit.
Paratë e Fondit të Privatizimit pritet të hyjnë në Fondin e Punësimit, të paralajmëruar nga kryeministri Thaçi. Këtë synim Qeveria po planifikon ta realizojë nëpërmjet përgatitjes së disa ligjeve.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë se në këtë fond nuk do të preken paratë e kursimeve pensionale. Ai ka thënë se për ta ndihmuar fondin janë të interesuar dhe donatorë të ndryshëm. Mirëpo, me ligjin aktual që e ka AKP-ja, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë.
Zyrtarë të AKP-së i kanë thënë KTV-së se ky vendim, me ligjin aktual, është i pamundur të realizohet.
Nëse Qeveria do ta realizojë këtë synim, Kuvendi i Kosovës duhet të marrë vendimin për ndryshim të ligjit të AKP-së, si edhe për marrjen e masave për të garantuar kthimin e këtyre parave./koha/