Mobi Casa

Paratë e mëditjeve dyfishojnë pagat e zyrtarëve publikë

/ 3 minuta lexim

Mosdefinimi i kritereve për atë që quhet vizitë zyrtare dhe për atë që nuk quhet vizitë zyrtare, ka bërë që shumë zyrtarë publikë të marrin shuma të majme të mëditjeve në udhëtime jashtë vendit, sidomos në vendet e rajonit. Këtë po ua mundëson edhe Rregullorja për tarifat e mëditjeve e vitit 2004, e miratuar në kohën e UNMIK-ut.

Sekretari i përhershëm në Ministrinë e Administratës Publike, Fitim Sadiku, ka thënë për “Kohën Ditore” se tanimë është hartuar Projektrregullorja e re për udhëtimet zyrtare dhe ajo gjendet në Zyrën e kryeministrit. Por ai nuk i di arsyet pse nuk është miratuar ende.

“Për këtë qëllim janë formuar grupet punuese, të cilat kanë kryer punën e tyre dhe Projektrregullorja e re me ndryshimet e bërë është proceduar për në Zyrën e kryeministrit”, ka thënë Sadiku. Ai ka shtuar se duhet të ketë një qartësi më të madhe sa i përket definimit të vizitave zyrtare dhe jozyrtare, si dhe të bëhet rishikimi i tarifave.

Hidromorava

Bazuar në listën e tarifave për mëditje del se qëndrimi në vendet e rajonit është më i kushtueshëm se në shumë vende evropiane. Shpenzimet ditore në Shqipëri janë shumë më të larta se në Danimarkë, Slloveni, Francë, Austri e Hungari. Derisa shpenzimi ditor për qëndrim në Shqipëri dhe Maqedoni është 209 euro, në Danimarkë është 179 euro, Austri 198 euro, Slloveni 199 euro dhe Francë 206 euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se zyrtarëve publikë po u konvenojnë tarifat e kohës së UNMIKU-ut pasi ato u mundësojnë që t’i dyfishojnë pagat. Petrit Zogaj nga lëvizja “FOL” ka thënë se lista që Ministria e Financave e ka trashëguar nga UNMIKU në lidhje me mëditjet që marrin zyrtarët publikë në udhëtimet jashtë vendit përmban disa vende që duket se kanë një preferencë edhe nga fakti se sa shpesh mund të vizitohet ai vend, ose që mund të ketë trajnime apo takime tjera. E ndër to sipas tij, është Shqipëria.

“Në Shqipëri bëhen shumica e takimeve punuese për këtë çdo zyrtar publik, i cili shkon nëpër ato takime, përpos heqjes së të gjitha shpenzimeve ditore, merr një mëditje që shkon paralelisht edhe me rrogën që ka të nënshkruar” ka thënë Zogaj. Duke qenë e tillë sipas Zogajt, do të ishte e udhës që kjo listë e mëditjeve të shikohet në tërësi dhe të ndryshohet politikat e punëtorive dhe seminareve, në mënyrë që të mos kemi pagesa të shumëfishta për të njëjtat qëllime.