Fundamenti

Paratë e Antikorrupsionit i “hëngri” autostrada

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Zyra e Auditorit Gjeneral e Kosovës (ZAGJK), ka publikuar raportin e auditimit për Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), e cila drejtohet nga Hasan Preteni.

Raporti i auditorit për AKK-në, nuk evidenton asnjë shkelje të bërë nga prokurimi i AKK-së, gjatë vitit 2011. Të gjitha rekomandimet e dhëna gjatë vitit të kaluar janë zbatuar 100 për qind, nga prokurimi i AKK-së.

Në raportin e auditorit thuhet se me vendim të qeverisë Nr. 22/53 i datës 21.12.2011 buxheti për kategorinë e shpenzimeve komunale është zvogëluar për 10 mijë e 213, ndërsa buxheti për kategorinë mallra dhe shërbime është zvogëluar për 91,767 euro.

Sipas vendimit të qeverisë, këto mjete ishin transferuar në Ministrinë e Infrastrukturës për të financuar projektin “Autostrada Morinë-Merdare”.

Por, sipas auditorit ky zvogëlim nuk ka ndikuar në aktivitetin normal të institucionit; dhe “Buxheti për kategorinë e investimeve kapitale është zvogëluar për 30 mijë euro me kërkesë të AKK-së të datës 21.06.2011, për arsye se projekti i paraparë të realizohet me buxhetin e vitit 2011, ishte realizuar me buxhetin e vitit 2010”, thuhet në raport.

Më tej në raport të auditorit thuhet se zyrtari i prokurimit kishte hartuar planin e prokurimit për vitin 2011 dhe të njëjtin e ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik.
“Bazuar në planin tonë të auditimit ne kemi bërë një përzgjedhje prej 7 mostrave të procedurave të prokurimit dhe 36 në listën e pagesave në vlerë financiare: 45,245 € për të kryer testimet e nevojshme. Gjatë testimeve tona nuk kemi hasur në ndonjë parregullsi materiale për t’u raportuar”, thuhet në raport.

Fundamenti

Po ashtu, edhe në kategorinë e blerjeve auditori ka testuar 5 mostra në vlerë financiare prej 5,242 euro, të cilat ishin për shpenzimet e bëra për udhëtime jashtë vendit dhe komunale. Edhe në këtë proces të prokurimit auditori nuk ka hasur në ndonjë parregullsi për t’u raportuar.

“Shpenzimet e udhëtimeve zyrtare dhe shpenzimet komunale ishin kryer në pajtim me udhëzimet dhe rregullat financiare në fuqi”, thuhet në raport.

Në fund të raportit të tij, auditori ka konstatuar se drejtori i AKK-së ka arritur të krijojë procese funksionale dhe kontrolle të brendshme për aktivitetet e përditshme operative dhe administrative, me përjashtim të disa mangësive të cilat nuk kanë ndikim material.

Sipas auditorit, adresimi i shumicës së rekomandimeve të ZAP-it për vitin 2011, është tregues që AKK është në rrugë të mirë për të siguruar që objektivat lidhur me Menaxhimin e Financave Publike (MFP) t’i kryejë në mënyrë efektive, efikase dhe ekonomike.
“Me qëllim të përmirësimit të mëtutjeshëm në zbatimin e sistemit të kontrollit dhe menaxhimit financiar, ne rekomandojmë drejtorin e AKK-së, që në veçanti të rishikojë në vazhdimësi proceset dhe procedurat me mangësi të theksuara në pajtim me kërkesat e Ministrisë së Financave, dhe të ndërmarrë masa për korrigjimin e tyre”, thuhet në raport.

Shpenzoi më pak se sa planifikoi

Sipas AKK-së, në kategorinë e mallra dhe shërbimeve është bërë planifikimi më i lartë si pasojë e çështjes së statusit pronësor të objektit që e shfrytëzon AKK-ja. Sipas auditorit, ka mosmarrëveshje ligjore në lidhje me procesin e ndërtesës që AKK-ja e ka në shfrytëzim. “Planifikimi në buxhet fillestar ishte: 227.356 euro, ndërsa realizimi ishte 107.350 euro.(Zeri)