Parashkrimi i rasteve, skemë mafioze e drejtësisë
Mosrespektimi i afateve ligjore në drejtësi dhe në gjyqësi po ndikon që të mos ketë shpeshherë as drejtësi, ku si pasojë e mungesës së vullnetit, apo përmes heshtjes administrative ose për motive e qëllime të tjera, që mund t’i bëjnë zyrtarët e caktuar të Gjyqësorit, ata po shkelin kësisoj parimet e drejtësisë.
TË INKRIMINUARIT I SABOTOJNË PROCESET GJYQËSORE
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se shkelja e afateve ligjore në masë të madhe bëhet me qëllim për t’i ruajtur oligarkët dhe shkatërruesit e shtetit
“Peshqit e mëdhenj” po shpëtojnë nga ndëshkimi
Mosrespektimi i afateve ligjore në drejtësi dhe në gjyqësi po ndikon që të mos ketë shpeshherë as drejtësi, ku si pasojë e mungesës së vullnetit, apo përmes heshtjes administrative ose për motive e qëllime të tjera, që mund t’i bëjnë zyrtarët e caktuar të Gjyqësorit, ata po shkelin kësisoj parimet e drejtësisë. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë alarmuar se shkeljet e afateve ligjore si të tilla paraqesin shkelje kushtetuese të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës për një gjykim të drejtë dhe në afat të arsyeshëm kohor, derisa kanë përmendur edhe rastin e fundit, për të cilin ka folur edhe ambasadori britanik në Kosovë. Pikërisht shkeljet e afateve ligjore i mundësuan ishkreut të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, që të mos dënohet e as të hetohet për shkak të parashkrimit të veprave penale të korrupsionit. Ndaj është shtruar edhe pyetja se si po lejohet që aktakuzat e ngritura nga prokurorët po rrinë në zyrat e tyre me vite të tëra, derisa të dorëzohen në gjykatë, dhe po ashtu si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsion nga Prokuroria të flenë në gjykata me vite, duke mos u caktuar seancat gjyqësore? Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se shkelja e afateve ligjore në masë të madhe bëhet me qëllim për t’i ruajtur oligarkët dhe shkatërruesit e shtetit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Ka plot raste si i Nuhi Ukës
Sipas Dibranit, sikurse të mos ishte dora e zgjatur e drejtësisë, edhe dëmet ishin më të pakta, por edhe përmasat e korrupsionit nuk do të shkonin deri në këtë nivel që si duket nuk ka lënë pore të jetës publike pa e prekur. ” Së këndejmi, ne mund të flasim për shkelje të afateve ligjore që paraqesin shkelje kushtetuese, sepse kemi edhe udhëheqësit politikë që kanë shkelur Kushtetutën (rasti i kryeministrit). Në këso rastesh, politikani i moralshëm nuk do të kishte ushtruar më post politik, por as prokurorët nuk do t’i zvarritnin lëndët, pasi edhe kjo gjë është shkelje kushtetuese. Me një fjalë, shkeljet kushtetuese e ligjore janë kate – kate dhe ato mbrojnë njëra- tjetrën, andaj e kemi këtë gjendje kaq të ngatërruar në sistemin gjyqësor të Kosovës”, tha ai. “Gjykimet e drejta nuk janë ato raste që zvarriten, përkundrazi ato raste që zvarriten janë krim i dyfishtë, të parin e bën i akuzuari dhe të dytin me zvarritje prokurori ose gjyqtari përkatës. Në këtë plan shihet edhe rasti i Nuhi Ukës, i cili sigurisht e ka të ndërtuar infrastrukturën e nëntokës, pasi siç thuhet nga një proverb popullor, “vetëm qypari di t’ia bëjë vegën qypit”, ka vijuar më tej ai. Dibrani në këtë drejtim ka shtuar edhe pyetjen se nëse një lëndë qenka e vjetruar dhe ajo nuk mund të trajtohet në aspektin ligjor, si ka mundësi të tolerohet pasuria milionëshe e fituar përmes formave të dënueshme me ligj, t’i lejohet të njëjtit person për ta vazhduar aventurën e keqpërdorimit dhe të sabotimit. “Andaj, jo vetëm rasti i Nuhi Ukës, por në Kosovë kemi shumë raste të ngjashme, të cilat ose zvarriten, ose nuk lejohen të hetohen. Prandaj, jo vetëm rasti i korrupsionit e krimit ekonomik, por në Kosovë nuk është lejuar të hulumtohen edhe shumë raste të krimeve politike, pasi Kosova e pasluftës është përballur me vrasje e krime që kanë tronditur vendin, por asnjëri nga ato raste nuk është zbuluar e as gjykuar, kurse zyrtarët politikë flasin për shtetin e së drejtës që bën veprime të shtrembëta, kurse drejtësia ua mban ison zyrtarëve të korruptuar”, ka vijuar më tej ai.
Ambasadori britanik kishte të drejtë
Profesori Mazllum Baraliu thotë se në radhë të parë vlen të theksohet domosdoshmërisht se rëndësia e respektimit të afateve ligjore në drejtësi dhe në gjyqësi është vetë drejtësia, andaj, sipas tij, afatet janë aq të rëndësishme, saqë mosrespektimi i tyre pa qëllim ose me qëllim, si pasojë e mungesës së vullnetit, apo përmes heshtjes administrative, ose për motive e qëllime të tjera që mund t’i bëjnë zyrtarët e caktuar të Gjyqësorit, në fakt, është shkelje e parimeve të drejtësisë. Ai thekson se për rrjedhojë është e patolerueshme nga aspekti i etikës profesionale e po ashtu edhe nga aspekti i obligimeve e përgjegjësive që kanë, siç tha, “zyrtarët e Gjyqësorit, qëllimisht po them zyrtarët e Gjyqësorit, qofshin ata prokurorë, qofshin gjyqtarë, ose edhe vetë administrata e Gjyqësorit, madje edhe kryetarët e gjykatave që bëjnë caktimin e lëndëve, dhe të cilët në atë aspekt me rastin e caktimit të tyre mund ti lënë disa lëndë që të ‘flenë’ dhe të njëjtat i caktojnë më vonë në momentet e fundit, para afateve të parashkrimit dhe pastaj ato parashkruhen, përfshirë këtu edhe rastet të cilat janë të një peshe dhe përgjegjësie të rëndë penale, dhe kësisoj ndodh kështu ajo që ka thënë me të drejtë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë. “Ngase vërtet pastaj humb drejtësia, humb autoriteti e kredibiliteti i Gjyqësorit dhe dëmtohet drejtësia si një postulat më i rëndësishëm i një shoqërie”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot”, profesori Mazllum Baraliu.


