RCCOLA

Paranoja e Serbisë karshi bashkimit kombëtar të shqiptarëve

/ 4 minuta lexim

Ideja e bashkimit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë është më shumë paranojë e Serbisë, ndaj reagimet që vijnë nga Beogradi zyrtar janë në funksion të ikjes nga problemet reale të këtij shteti. Në këtë formë mendojnë të paktën njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi.

Reagimet me zemërim të zyrtarëve serbë kanë pasuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “për bashkimin kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjete të shekullit XXI dhe në funksion të BE-së”, thënë në një intervistë të televizioni vendor në Kosovë.

Analisti Ismail Hasani thotë se reagimet nga Serbia vijnë e bëhen më të ashpra, pasi që tani “është kuptuar se shqiptarët janë faktorë në Ballkan”.

“Për fat të keq, Serbia si fqinje grindavece, këtë reagim e bën në mënyrë të ashpër, në mënyrë të vrazhdë, pa diplomaci dhe pa sens të maturisë. Dhe, konsideron se ‘ja rreziku po vjen’, se nëse ndodhë bashkimi i shqiptarëve atëherë, rrotullohet i tërë globi”, tha Hasani.

Sipas tij, Serbia nuk ka frikë vetëm nga bashkimi kombëtar, por si shtet “vuan edhe nga një paranojë e pashpjegueshme “.

Edhe Dushan Janjiq, analist i çështjeve politike në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se reagimet e ashpra nga Serbia ndodhin për disa arsye.

“Arsyeja e parë është Kosova dhe ka marrë formë gjatë viteve të ‘90-a, në kohën e konfrontimit, në kohën e politikës së Millosheviqit në Kosovë. Ishte ajo një politikë e paditurisë, një politikë e eliminimit të çdo ekzistence autonome të shqiptarëve të Kosovës, territoriale apo politike, madje edhe mohimit të ekzistencës së tyre. Pra, kjo ishte një politikë e dështuar e aparteidit e cila përfundimisht u shndërrua në krijimin e një shteti të ri shqiptar, në aspektin etnik”, tha Janjiq.

Eco Higjiena

Duke komentuar edhe qëllimet programore të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, e në të cilin thuhet që “në të ardhmen të krijohen kushtet edhe për formimin e një shteti të përbashkët të popullit serb në Serbi dhe Republikës Serbe (në Bosnjë)”, Janjiq thotë se njerëzit shpesh ngurrojnë ta thonë atë që vërtet mendojnë, ndërsa sulmojnë të tjerët kur e kërkojnë të njëjtën gjë.

“Ideja, që edhe Serbia duhet të kompensohet, sepse po e humb Kosovën, është gjithnjë e gjallë dhe atëherë Edi Rama shihet si një arsye e mirë për të porositur Evropën dhe të tjerët: nëse ju nuk e ndiqni interesin tonë, atëherë ne shkojmë drejt një rruge tjetër. Pra, ‘nëse shqiptarët nuk e ndjekin atë interes, pse po na e kundërshtoni politikën e Dodikut’“, tha Janjiq.

Vuçiq i ka premtuar kryeministrit shqiptar Rama se Kosova dhe Shqipëria “nuk do të bashkohen kurrë”

“U lutem liderëve shqiptarë që të ndalen së provokuari jostabilitetin në rajon”, ka thënë Vuçiq, në rrjetin social Twitter, të martën më 7 prill.

Ndryshe, Bashkimi Evropian vlerëson se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, të përcaktuar nga ana e Bashkimit Evropian, në nivelin më të lartë. Këtë vlerësim e ka dhënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “bashkim kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjetet e shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”.

“Të gjithë partnerët në rajon, kanë konfirmuar vetë zotimin në përmbushjen e këtij synimi dhe ambicien e tyre për të përmbushur kriteret e nevojshme, duke respektuar në tërësi parimet dhe standardet e BE-së”, ka thënë ajo. /REL/