Parandalojeni shtypjen e lartë të gjakut me ushtrime

Ushtrimet në kohë të lirë mund të ndihmojnë në parandalimin e shtypjes së lartë të gjakut (hipertensionin), ndërsa aktiviteti fizik në punë nuk jep rezultatet e njëjta. Këto janë të dhënat e një hulumtimi të ri.
Hulumtuesit kanë analizuar rezultatet e 13 studimeve, të cilat janë marrë me çështjen se sa ndikon aktiviteti fizik në shtypjen e gjakut. Studimet kanë përfshirë 137.000 njerëz nga Amerika, Evropa dhe Azia Lindore, të cilët në fillim të studimit kanë pasur shtypje normale të gjakut.
Kohëzgjatja e studimeve ka lëvizur nga dy deri në 14 vjet, kurse gjatë asaj periudhe shtypja e lartë e gjakut ishte lajmëruar te më shumë se 15.600 nga pjesëmarrësit në studim.
Rreziku ishte për 11 për qind më i vogël te njerëzit që kishin ushtruar në mënyrë rekreative nga një deri tre orë në javë, kurse ata që kishin ushtruar më shumë se katër orë në javë kishin për 19 për qind rrezik më të vogël që të kenë probleme me tensionin e lartë të gjakut.
Këto rezultate nënkuptojnë, se sa më shumë të ushtroni në kohë të lirë, aq më i vogël është rreziku për shtypjen e lartë të gjakut.
Megjithatë, studiuesit nuk kanë gjetur një lidhje të fortë mes aktivitetit fizik në punë dhe presionit të lartë të gjakut.
Aktiviteti fizik në punë (siç janë punë bujqësore apo puna në fabrika) ka të bëjë me përsëritjen e të njëjtin aktivitet vazhdimisht, prandaj nuk ka dhënë rezultate të mira për të parandaluar shfaqjen e hipertensionit, edhe pse në të kaluarën është menduar se secili lloj i aktivitetit fizik i shërben shëndetit të zemrës dhe enëve të gjakut. /Mjeku.Net/