GRANDEMALL

Paramilitari serb foton e Rugovës ia shtinë babës Hajrush me zor në gojë…

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Shpejt kaluan pesëmbëdhjetë vite. Tash e pesëmbëdhjetë vjet më parë. Ishin vite me dhimbje. Vite me ripërtëritje të jetës “tjetër”. Pse jo? S’do të duhej harruar për jetë të jetës! S’do të duhej harruar, jo! Përkundrazi, duhet përkujtuar kohën e vitit 1999, kur makineria çetnike serbe bëri dhunë të egër çka nuk ka bërë asnjë populli tjetër në botë. Ajo ka vrarë, masakruar, dhunuar, ka djegur shtëpia, por edhe ka vra fëmijë dhe ka shpërngulur nga shtëpitë e tyre me mijëra qytetarë nga trojet e veta stërgjyshore. Pra, kjo barbari serbe ka bërë gjenocid të paparë mbi popullatën e pafajshme shqiptare.

Kjo “vepër” s’harrohet lehtë. Kush e harron, nuk është shqiptar. Ai do të ishte kundër shqiptarëve. Andaj, kur erdhën ditët e fundit të marsit 1999, popullata shqiptare u gjend keq. U gjend rëndë dhe pësoi keq gjer në shfarosje. Edhe xha Hajrush Bajrami (1937), tash i ndjerë, ka pësuar keq në luftën e fundit. Ai nuk jeton më.

Ai ka shkuar në botën e përjetësisë vetëm katër ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 21 shkurt të vitit 2008. Dhe jo vetëm kaq. Lufta e fundit (1999) ka “krijuar” rrëfime më të ndryshme tek njerëzit. Pse jo? Ishin rrethanat e tilla, ku njerëzit janë përballur me barbarinë serbe, e cila deshi ta zhbënë popullatën shqiptare nga faqja e dheut. Hajrush Bajrami është nga Devaja. Ai, gjatë luftës së fundit 1999 pa vdekjen me sy. Kur më 15 prill të vitit (1999) rrethohet fshati Devajë nga forcat e errta serbe, të cilat kishin ardhur nga Poneshi e nga Vrapçiçi, popullata e këtij fshati u gjend në një gjendje të vështirë. U rrethuan nga katër anët e fshatit.

Djali i Hajrush Bajramit, Metushi 52-vjeçar, sot rrëfen e s’ndalet. “Kur erdhën paramilitarët serbë, na ishim duar thatë. Na tubuan në oborrin e Reshatit, djalit të axhës. Na tubuan gra e burra e fëmijë. Nuk guxonim asnjë të lëviznim. Për një lëvizje të vogël, vriteshim. Disa na ruanin, ndërsa të tjerët filluan t’i plaçkisin shtëpitë tona. Hynë brenda dhe nuk lanë dhoma e sende pa i rrotulluar e hapur. Gjetën para, ari e sende tjera me vlerë. I morën të gjitha ato sende me vlerë. Por, frikohesha se në shtëpi, gjer sa arritën tek ne, e fsheha fotografinë e Adem Jasharit i veshur me rroba të UÇK-së. Atë e fsheha në një zgavër të furrës. Ndërsa fotografinë e Ibrahim Rugovës nuk arrita ta fshehi. E lash aty në muri nga frika. Kur dolën nga plaçkitjet, njëri e mbante në dorë foton e Rugovës. Pyeti: “E kujt është kjo shtëpi?” Unë desha të ngritem, por baba, Hajrushi, tash i ndjerë, më dha shenjë që t’mos ngritem unë se ju dhimbsha. Ai, pa një pa dy, u tha: “Shtëpia është e imja”.

Paramilitari serb me fotografinë e Rugovës, e cila kishte një kornizë të fortë, i ra babës në kokë aq fortë, sa ajo mezi u shkatërrua. I morën copat e fotos dhe ia shtien babës Hajrush me zor në gojë. Krejt copa-copa ia shtinë në gojë dhe baba deshi të vdes, se ato copa të fotografisë nuk i shkonte te poshtë. Babës Hajrush i ra të fiktë. I humbi edhe vetëdija. Koka i është ajur shumë. I rridhte gjak. Gjaku i shkonte zvarr fytyrës e trupit. S’dinim çka të bëjmë. Dronim shumë.

Një ushtarë udhëheqës, ndërhyri tek shoku i tij duke na thënë: ”Ne s’kemi ardhur të vrasim njerëz. Qitni çka keni me vete…”I hodhëm paratë, orët e sendet tjera. E, baba qysh më herët më pati thënë që t’i heqim ato foto, se për to neve na vrasin dhe ua shohim sherrin. Mandej, i marrim në qafë jo vetëm familjen tonë, por krejt fshatin”. Ata i morën orët, paratë dhe u thanë shokëve të tyre: “Tash, çka doni bani me ta…”

Pas kësaj “ngjarje”, paramilitarët filluan dhe i morën disa makina të reja. Menduam se kjo “furtunë” mbaroi. Por, jo! Tash paramilitarët ndërruan skenarin. Filluan t’i rrahin fshatarët. E morën Ramiz Bajramin (1944) dhe e kanë rrahur me shkop në kokë. Atë e kanë rrahur tepër. S’di si ka qëndruar. Ramiz Bajrami ka vdekur më 8 maj 1999 nga pasojat e luftës. Por, kur na larguan më 16 mars 1999 nga shtëpitë, mu në dalje të fshatit, paramilitarët serbë na kanë maltretuar shumë. Disa fshatarë i kanë rrahur tejmase. Bie fjala, Rrahmanin e Devajës e kanë rrahur në prani të grave.

Atij në traktor ia gjejnë në thes të miellit 1 mijë marka. Pas kësaj, atij ia dëmtojnë krejt miellin dhe ia shpërndajnë nëpër tokë. Po këtu e kanë rrahur djalin e axhës, Reshatin, tash mjek, të cilit i gjetën disa barna. Atij i kanë shkaktuar plagë të rënda në kokë. I kanë rrahur edhe shumë të tjerë paramilitarët serbë. Të shtoj edhe këtë se, para kësaj “ngjarje”, policia serbe me ushtarët paramilitarë na kanë kërkuar 5000 DM. Na thanë, nëse i jepni këto para, ju do të jeni të lirë. Paratë i tubuam me vështirësi. Vinin lajme se nëse nuk tubohen paratë, do të ketë vrasje.

Fundamenti

Disa prej paramilitarëve u deklaroheshin se janë rusë. Disa kanë qenë të Devajës, si Ivkoviq Zhivoin, mandej një Suzan, i cili, si thonë disa, e ka ditur mirë gjuhën shqipe. Ky ka bërë dhunë më së shumti në popullatën shqiptare. Dy herë kanë kërkuar para prej fshatarëve. E, fshatarët u lodhën se nuk kishin para. Me 16 maj 1999 jemi detyruar të shkojmë në Maqedoni. Kur na kanë kthyer në fshat, s’kemi pasur ku të hymë. I kishin thyer krejt xhamat e sendet tjera. Miellin, grurin e sendet tjera i kishin plaçkitur. Edhe Mursel Bajrami, djali i Hajrushit tha se, s’di qysh kemi jetuar pak ditë. “Atë kohë ka qenë një oficer i mbrojtjes, Zhivko Iviq. Ai kishte qenë për krejt mbrojtjen territoriale të Kosovës. Ky njeri, sa herë ka ardhur në fshat, i ka nxitur paramilitarët t’na maltretojnë e të na fyejnë në baza kombëtare.

Hajrush Bajrami tha se ka qenë njeri i odave. Ka qenë punëtor. Në jetë e ka ditur mjeshtërinë e muratorit. Me këtë “zanat”, ai e ka mbajtur familjen gjallë. S’ka lënë send që nuk ka ditur të punojë. Mjeshtëria i ka shkuar për dore. Edhe krejt mëhallën e e fshatin e ka këshilluar. Ka qenë njeri me dije. S’ka pasur njeri që nuk ka ardhur të konsultohet me te. Ka pasur qëndrim të fortë prej njeriu. Në jetë e ka dashur fort Ibrahim Rugovën. Kur fliste dr. Rugova, ai sy e vesh i kishte tek ai.

Ai na thoshte, “Vetëm ky njeri i madh yni, do t’na shpëtojë! Njëherë e ka lindur nana Rugovën. Zot, ruajna se ky njeri është “pengamer” i këtij shekulli!” Baba Hajrush, si e ka blerë posterin me foton e Rugovës, ai e ka vuar në muri të odës. Dr. Rugovën e ka pasur idol në jetë. Por, ja vdekja. Ai vdiq nga pasojat e luftës. Ishte i rrahur në kokë, sa që çdo ditë ndjente dhimbje trupi. I mirreshin mendët. Disa herë thoshte mos po vdes pa e përjetuar pavarësinë e Kosovës. Dhe, zoti deshi, sa ishte gjallë ai, u shpall Pavarësia e Kosovës.

Katër ditë pas, më 21 shkurt të vitit 2008, ai vdiq. Vdiq me sytë çelë duke parë se si erdhi lira e Kosovës. Ai pati thënë: “Tash, unë po vdes, por ju mos qani. Po shkoj nga kjo botë, por po e di se Kosova është e lirë…!” Hajrushi, tash i ndjerë, pas vete ka lënë 5 djem e një vajzë: Azirin, Metushin, Naimin, Murselin dhe Ginerin etj. Vëllau i tij, Jonuzi, sa shumë e ka dashur. Ai është kujdesur sa ishte i sëmurë në Pozharan. Ai gjithnjë vëllaut Hajrushit i rrinte te koka. Sa herë u qonte jerm natën, Jonuzi e qetësonte. I rrinte afër dhe ia shtrëngonte duart. I dhimbsej se ka pësuar keq në këto ditë të luftës. Ka pësuar dhe Ramizi, kusheri i familjes Bajrami.

E, Murseli, djali i Hajrushit ka shtuar se, baba i tij, Hajrushi ka qenë njeri i odave. “Ai s’ka pasur raporte të mira me serbët. Kur jemi larguar nga Devaja, kemi gjetur strehim te miku, Sabri Xhafa në Pozharan. Fort mirë na kanë pritur. Këtu kemi qëndruar dy javë. Në odë kemi qëndruar afro 15 vetë. (Edhe autori i këtyre radhëve ishte aty me mikun e tij Selim Hazirin nga Radivojci). Ai kur natën u qonte jerm, bërtite. “O ruajuni se po na presin shkiet. Shihe Sazanin se si ka hypur në stog të sanës dhe po bërtet: “Unë jam rus. Ju shqiptarët s’keni vend këtu në Kosovë. Tash do ta shihni se çka do t’ju bëjmë, he nënën e shqip…” Hajrushi i përmendte shpesh policët dhe paramilitarët që e kishin rrahur. Pas luftës, baba ka pasur dy operacione. E mori teposhtzën nga rrahjet që iu bën atij. Edhe Ramiz Bajrami ka qenë i rrahur nga dora e paramilitarëve serbë. Atë e kanë rrahur shumë te shtëpia e Jonuzit. I kanë rrrahur edhe disa fshatarë të tjerë, si: Ymer Beqirin, Reshatin, djalin e Jonuzit (mjek), Zahir Zeqirin etj. Ramizi, nga rrahjet është sëmurë dhe më nuk ka mundur më ta mbajë drejtpeshimin e trupit. Kur shtuam në Pozharan, ai nuk ishte ne gjendje të ngritej në këmbë. Vdiq nga pasojat e luftës, më 8 maj të vitit 1999 në fshat, Devajë.

Ramizi pas vetës ka lënë shumë fëmijë, si: Kadriun, Astritin, Lavdrimin, mandej vajzat: Imranen, Selveten, Mejremen, Sadushen, Afërditën. Vajzat e Ramizit e kanë kryer gati të gjitha shkollën e mesme. Një djalë i tij e ka kryer fakultetin e artit në Prishtinë, e një tjetër është duke studiuar. Kur jemi kthyer në fshat, gati të gjitha shtëpitë kanë qenë të djegura. Shtëpitë e djegura kanë qenë të Remzi Shalltit, Shaban Ukajt, Ibrahim Misinit. Mbi 30 shtëpi kanë qenë të shkatërruara.

Sa vështirë e kemi pasur ta vazhdojmë jetën. Na kanë plaçkitur më tepër se 25 makina, 10 traktora e sende të tjera nga bujqësia. Pesëmbëdhjetë vjet pas lufte, Devaja, krejt pak ka ndryshuar. Banorët e këtij lokaliteti jetojnë, por në vete mbajnë e nuk i largojnë rrëfimet trishtuese të dhunës gjatë luftës së fundit, e cila la pasoja të rënda tek njerëzit. Megjithatë, edhe këtu filloi jeta e re, por me dhimbje shpirti e jete. /Tefik Selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.