RCCOLA

Paralajmëron Haradinaj: Nëse nuk flitet për programin e Qeverisë, e lëshojmë seancën

/ 2 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë ka folur edhe për seancat të cilat pritet të mbahen javën që vjen. Haradinaj tha se nëse grupet parlamentare bien dakord të flasin për programin që është dorëzuar në Kuvend, atëherë mund të qëndrojnë ndërsa nëse vazhdohet me diskutimin për ditën kur është formuar Qeveria, Haradinaj ka thënë se mund edhe të mos rrinë.

“Kemi shumë punë e s’mund të qëndrojmë në seancë për diskutime që mendojmë që nuk janë në rregull. Se tani kanë programin. Ata kanë mujt me u marrë me program, me fillu diskutimin për programin që e kemi”, tha Haradinaj, shkruan gazeta Metro.

Seanca tjetër është ftuar që kryeministri të raportojë për rastin e ministrit Nenad Rikalo, i cili akuzohet se ka kryer krime ndaj shqiptarëve.

Fundamenti

“Interpelancën për Rikalon e ka ftuar LDK-ja dhe atje do të prezantoj unë. Ne i respektojmë të gjeturat ligjore të mekanizmave të thirrur për këtë temë, që janë policia, prokuroria të cilët na kanë konfirmuar që nuk ka të dhëna që na obligojnë si Qeveri për çfarëdo veprimi të caktuar. Por për respekt prej Parlamentit unë do të prezantoj aty, por ky do të jetë qëndrimi im. Pra ishte informatë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai e ka informuar kabinetin qeveritar se ka emëruar zëvendësministrat nga komunitetet duke i ftuar ata që të bashkëpunojnë me zëvendësit dhe t’iu gjejnë punë.

“Jepni detyra. Unë e shoh stafin tim të Qeverisë sikur t’i kishim dhe 1 mijë njerëz ka punë për ta sa punët kanë ardhur”, tha Haradinaj.