Eko Higjiena

Paralajmërohet kolpas nëse shkohet në zgjedhje pa u votuar Buxheti 2021

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti e ka komplikuar situatën politike në vend. Opozita dhe pozita kanë edhe pak ditë kohë që të mos e bllokojnë miratimin e buxhetit 2021 e të njëjtin ta kalojnë në Kuvend të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti është duke bërë thirrje për këtë te përfaqësuesit e subjekteve. Nëse nuk votohet buxheti dhe shpërndahet Kuvendi, atëherë nga fillimi i vitit nuk mund të ekzekutohet asnjë pagesë, shkruan Gazeta Express.

Ka disa herë që në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka dështuar që të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021.

Kjo çështje që po zvarritej kryesisht nga inatet që zakonisht i transmetojnë në votë pozita dhe opozita ka marrë një kahe krejt tjetër tash kur vendi ka veç 40 ditë kohë që t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Para se të shpërndahet Kuvendi e shteti të përgatitet për zgjedhje të reja skena politike po kërkohet që të unifikohet për ta votuar buxhetin për vitin e ardhshëm.

Nëse nuk ndodhë kjo atëherë nga janari vendi mund të futet në krizë buxhetore ku nuk mund të ekzekutohet asnjë pagesë.

Për pasojat që mund të sjellë votimi i buxhetit për vitin e ardhshëm ka folur për Gazetën Express, Eugen Cakolli nga KDI-ja.

Ai thotë se buxheti është një nga çështjet më problematike me të cilat përballet spektri politik.

“Një prej çështjeve më problematike me të cilat do të përballet spektri politik, pas vendimit të Kushtetueses, është buxheti për vitin e ardhshëm. Neni 24.1, paragrafi b, i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, parasheh zgjatjen automatike e ndarjeve buxhetore vetëm për muajin janar të vitit pasues fiskal. Për zgjatjet tjera, që nuk mund të kalojnë periudhën 3 mujore, nevojitet vendim i Kuvendit”, thotë Cakolli që shpjegon se pas shpallet së zgjedhjeve Kuvendi nuk mund të mblidhet andaj rrjedhimisht nuk ka mundësi që të merret vendim për zgjatje buxhetore.

“Në rastin tonë, pas shpalljes së zgjedhjeve, juridikisht Kuvendi nuk do të ketë mundësi të mblidhet, andaj nuk do të ketë vendim për zgjatje. E meqë zgjedhjet mbahen në fund të janarit, është praktikisht e pamundur që një qeveri e re të formohet në shkurt, e cila do t’a votonte buxhetin, apo një Kuvend që do të votonte për zgjatjen e linjave buxhetore. Praktikisht, i bie se vendi rrezikon të futet në krizë buxhetore, e që asnjë pagesë nuk do të mund të realizohej nga buxheti i shtetit pas muajit janar”, ka thënë Cakolli, teksa shton se opsion i vetëm që mund të ndjekin partitë është që brenda ditësh të votojnë projektligjin për buxhetin në procedura të përshpejtuara.

Kjo duhet të ndodhë para se u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në opinon është diskutuar se a do të jenë legjitime vendimet që merr Qeveria tashmë në detyrë.

Hidromorava

Ehat Miftaraj nga IKD thotë për Gazetën Express thotë se sipas komenteve që ka bërë Komisioni i Venecias lidhur me projektligjin për Qeverinë, atëherë këshillohet që edhe Qeveritë në dorëheqje të marrin vendime të domosdoshme për funksionimin e shtetit, sic është cështja e votimit të buxhetit.

“Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme nuk kanë dispozita ligjore lidhur me kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Sidoqoftë në bazë të praktikave të mira të qeverisjes së mirë dhe sipas komenteve të fundit të Komisionit të Venecias lidhur me projekt ligjin për Qeverinë këshillohet qe qeveritë në dorëheqje të marrin vendime të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe me interes të përgjithshëm ku miratimi i Ligjit për buxhet duhet të jetë prioritet i qeverise ne dorëheqje dhe kësaj legjislature, ku hyn po ashtu edhe vendimet për Pandeminë. Qeveritë në dorëheqje nuk është e këshillueshme të marrin vendime që kanë të bëjnë me projekte kapitale, etj”, ka thënë Miftaraj për Gazetën.

Për rreziqet që sjell mos miratimi i buxhetit ka folur në paraqitjen e parë para mediave kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, një ditë pas vendimit të Kushtetueses.

“Para e kemi një punë të rëndësishme si buxheti për vitin 2021. Të mos shpërndahet Kuvendi pa e votuar buxhetin. E kam diskutuar me grupet e parlamentare me telefon që të votohet buxheti dhe ka gatishmëri. Tani ka procedura që duhet ndjekur në Kuvend për të organizuar kjo seancë”, tha Hoti dje para gazetarëve.

Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka kërkuar që së pari të votohet buxheti për vitin 2021, pastaj të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Praktikat e deritanishme të zgjedhjeve kanë treguar se mund të kemi vonesa në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, po që se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen në fillim të vitit 2021. Kjo për faktin se ka shumë gjasa që vendi të mbetet pa këto Institucione në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe si kanë treguar zgjedhjet e fundit këto vonesa mund të marrin edhe disa muaj shtesë përtej tremujorit të parë të vitit 2021”, ka shkruar Krasniqi.

Gjatë ditës së sotme, ndërkaq Hoti ka thënë se ka kontaktuar grupet parlamentare për diskutuar rreth çështjes së buxhetit të vitit 2021.

Hoti thotë se është në pritje të përgjigjes, ndërkohë që ai thekson se presin bashkëpunim nga të gjithë rreth kësaj çështjeje.

Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në Kuvend të Kosovës nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është deri në fund të këtij viti./GazetaExpress/