Paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit, ish-Komandanti i KFOR’it Erhard Bühler: Duhet të dëgjohen miqtë dhe të ketë më shumë durim

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Bühler tha se çdo trazirë mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatë. Gjenerali gjerman në fund tha se duhet të dëgjohen miqtë dhe të ketë më shumë durim. “Rekomandimi im është që Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë këshillat e KFOR’it, BE’së dhe ambasadorëve të QUINT’it.

Ura e Ibrit është mbyllur qe shumë vite për qarkullim të veturave, mirëpo vitin e kaluar kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut mori vendim që ajo të hapet por ky vendim ende nuk është zbatuar. Kjo është përkrahur në Kosovë, mirëpo nga ndërkombëtarët është kërkuar që çfarëdo vendimi për Urën e Ibrit të diskutohet në kuadër të dialogut. Lidhur me këtë ka folur ish – komandanti gjerman i KFOR-it, Erhard Bühler. Ai ka një këshillë për Qeverinë e Kosovës.

Gazeta Express

Vitin e kaluar kuvendi komunal në Mitrovicë të Veriut ka marrë vendim që të hapet ura që e ndanë Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut. Mirëpo ky vendim akoma nuk është zbatuar.

Kjo temë u riaktualizua sërish ditëve të fundit pasi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se Ura e Ibrit do të hapet “shumë shpejt”.

“Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutuar me eprorët tanë se si ka mundësi kjo të bëhet. Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka thënë Elshani më 30 maj.

Mirëpo ndërkombëtarët, më saktësisht BE dhe KFOR’i, po kërkojnë që çfarëdo vendimi që lidhet me Urën e Ibrit duhet të diskutohet në Bruksel.

Për këtë çështje, në një përgjigje për Gazetën Express, ka folur ish komandanti gjerman i KFOR’it(2010-2011), Erhard Bühler. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë këshillat e KFOR’it, BE’së dhe ambasadorëve të QUINT’it.

Ai u shpreh se do të donte që vendimi për hapjen e urës të zbatohej, por sipas tij situata në Mitrovicë të Veriut është e paparashikueshme.

Bühler tha se çdo trazirë mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatë.

Gjenerali gjerman në fund tha se duhet të dëgjohen miqtë dhe të ketë më shumë durim.

UBT

“Rekomandimi im është që Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë këshillat e KFOR’it, BE’së dhe ambasadorëve të QUINT’it. Do doja që vendimi i kuvendit komunal të zbatohej. Megjithatë, situata e sigurisë në Mitrovicën e Veriut është e paparashikueshme. Çdo trazirë e mëtejme mund të dëmtojë sërish imazhin e Kosovës në Evropë dhe të dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës dhe miqtë e saj më të afërt. Prandaj dëgjoni miqtë dhe jini të durueshëm”, ka thënë Bühler për Express.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se hapja e urës së Ibrit i përket dialogut dhe çdo vendim që lidhet me të duhet të diskutohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Qëndrim të njëjtë për Urën e Ibrit ka edhe misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR’i. Ky mision ka bërë thirrje që çdo vendim për urën mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për REL’in.

Në anën tjetër, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë paralajmëruar që Ura e Ibrit mund të hapet këtë verë. Zëvendësministri, Arbër Vokrri, ka thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë, por sipas tij nuk ka arsye që të pritet vjeshta. Ai thotë se janë krijuar kushte për hapjen e urës, pasi që janë zvogëluar mundësitë për trazira.

“S’jam i sigurt për kohën e saktë, natyrisht se është diskutuar më shumë se njëherë mes institucioneve të shtetit tonë dhe ka arsye që nuk është shtyrë pra vendimi për zbatimin pasi e ka votuar Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës Veriore. Pra, arsyeja ka qenë e thjeshtë që të mos ngutemi të mos dukemi që po tentojmë ta provokojmë situatën, mirëpo me kalimin e kohës potenciali për trazira vërehet qartë se është zvogëluar. Mendoj se para vjeshtës që i bie gjatë verës. Por, datë të saktë nuk kemi. Mendoj se nuk ka nevojë të pritet vjeshta fare”, tha ai në Tëvë1.

Ndërsa Lista Serbe paralajmërimin për hapjen e urës e ka quajtuar “lëvizje të panevojshme dhe të papranueshme”, duke shtuar se “qëllimi është destabilizimi i situatës”.

LS i ka bërë thirrje KFOR’it, EULEX’it dhe përfaqësueve të Brukselit “që të reagojnë dhe të parandalojnë që të ndodhë një krizë tjetër”.

“I bëjmë thirrje Kfor-it, EULEX-it, por edhe përfaqësuesve të Brukselit që të parandalojnë Kurtin të shkaktojë një krizë tjetër dhe ta pengojnë planin e tij për dëbimin e serbëve nga Kosova. Ju bëjmë thirrje që të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Kosovës, për këtë arsye, nga disa mijëra serb, vetëm një prift jeton në Mitrovicën jugore me familjen e tij nën vëzhgim të vazhdueshëm policor”, kanë thënë nga Lista Serbe. /GazetaExpress/