Parakalimi i FSK-së i jep madhështi festës së çlirimit të Kamenicës

Kamenicë – Në rrugën kryesore të qytetit të Kamenicës, ka parakaluar Orkestra Frymore e FSK-së. Kjo ceremoni, u zhvillua për nderë të Ditës së Çlirimit të komunës së Kamenicës.
18 qershori ishte ditë e aktiviteteve të shumta në komunën e Kamenicës. U përkujtuan dëshmorët e komunës së Kamenicës për nder të Ditës së Çlirimit. U mbajt seancë e Kuvendit Komunal, ku kryetari Begzad Sinani, tha para deputetëve komunal se i fton të gjithë që me punë, bashkërisht të realizohen aspiratat për një vend më të zhvilluar.
Pastaj në rrugën kryesore të qytetit të Kamenicës, ka parakaluar Orkestra Frymore e FSK-së. Kjo ceremoni, u zhvillua për nderë të Ditës së Çlirimit të komunës së Kamenicës.
Pas parakalimit në rrugën kryesore të Orkestrës Frymore të FSK-së, nën patronatin e kryetarit Begzad Sinani, është mbajtur edhe një koncert nga Orkestra Frymore e FSK-së, në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë.
Qytetarëve të Kamenicës, u është drejtuar me një fjalë rasti kryetari Sinani. Ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës së UÇK-së, duke thënë veç tjerash, se sakrifica e tyre vendit i solli lirinë.
Sinani ka uruar qytetarët, duke i ftuar ata njëherit që të jenë bashkëpunues me komunën, në mënyrë që çdo projekt që jetësohet, të kontribuojë në zhvillimin e komunës.
Edhe drejtoresha e Kulturës, Venera Dërmaku-Rexha, falënderoi Orkestrën Frymore të FSK-së që nderoi Kamenicën me pjesëmarrje në këtë ditë të veçantë.
Një befasi e këndshme, ishte edhe organizimi i ndeshjes futbollistike mes KF “Dardana” dhe KF “Ternoci”. Rezultati 1 me 1 mes këtyre dy klubeve, ishte një arsye për festë për tifozët e klubeve.
Kryetari Sinani, tha se mbetet i përkushtuar që të ofrojë mbështetjen e pa rezervë për të rinjtë dhe sportin./rajonipress/