UBT

Paraburgim për bosët e lojërave të fatit

/ 5 minuta lexim

Për pesë vjet dyshohen se kanë mbajtur monopolin e lojërave të fatit dhe kazinove në Kosovë, por tash vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi, së paku tridhjetë ditë do të qëndrojnë në paraburgim. Ata janë të dyshuar se si grup i organizuar kriminal kanë përfituar shuma të mëdha parash, duke dëmtuar persona të tjerë përmes haraçit. Kushdo që ka përdorur makinat e lojërave të fatit të tipit “Apex”, nuk është lënë rehat nga vëllezërit Krasniqi e grupi i tyre.

Pronarët e kompanisë së kazinove “APEX Play4win”, Arben dhe Astrit Krasniqi, dhe punonjësi i tyre Arben Neziri, janë arrestuar të hënën në mëngjes nga policia e misionit EULEX. Paraditen e së martës, nën shoqërimin e njësisë speciale të EULEX-it ata janë sjellë në gjykatë.

Pas kërkesës së prokurorit të rastit, Allen Cansick, gjatë seancës që ka zgjatur rreth dy orë, gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it, pasditen e së martës e ka marrë vendimin për paraburgimin e tyre, siç thuhet, me arsyetimin se prania e të pandehurve në liri mund të pengojë rrjedhën e mëtejme të hetimeve në këtë rast.

Kjo masë është caktuar pavarësisht kundërshtimeve që i kanë bërë mbrojtësit dhe vetë tre të dyshuarit. Fjalët e prokurorit Krasniqët janë persona me ndikim dhe si të tillë mund të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, ka bërë që gjykata të caktojë masën sipas së cilës tre personat do të qëndrojnë në paraburgim për së paku një muaj.

Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së prokurorit, një kopje të së cilës e posedon “Zëri”. Sipas kërkesës, tre personat dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal në dëm të personave dhe bizneseve të tjera. Si themelues të këtij grupi kriminal, që nga viti 2008, janë Arben dhe Astrit Krasniqi që zyrtarisht janë edhe pronarët e “APEX Play4win”.

“Qëllimi i grupit të organizuar kriminal ishte sigurimi i përfitimeve materiale, joligjore për vete duke përdorur forcën dhe kërcënimet serioze duke i detyruar bizneset apo individët e tjerë t’i mbyllnin kazinotë e tyre, ti zhvendosnin disa makina të caktuara të lojërave të fatit, ose të vazhdonin të operonin nën kushte, të cilat u sillnin disavantazhe këtyre bizneseve dhe individëve por avantazh i sillnin kompanisë “APEX Play4win. Aktivitetet e sipërpërmendura ishin të dëmshme për personat dhe bizneset që ishin cak të këtyre veprimeve”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e prokurorit Cansick.

Ndonëse kishte qenë në dijeni që ishte grup kriminal dhe po udhëhiqej nga Arben e Astrit Krasniqi, i dyshuari i tretë në këtë rast Arben Neziri, sipas prokurorit, “në mënyrë aktive ka marrë pjesë në aktivitete të grupit të krimit të organizuar”. Arben Neziri, sipas prokurorisë, kishte qenë pjesë e grupit ani pse e kishte ditur se do të kontribuonte arritjes së qëllimeve për vëllezërit Krasniqi.

RCCOLA

Dy vëllezërit Krasniqi, bazuar në shkresat e para të lëndës, kanë disa biznese të regjistruara në emrin e tyre.

Arben Krasniqi është pronar i kompanisë “Apex Gaming Kosova Sh.P.K” dhe kompanisë së patundshmërisë “A&A”. Astrit Krasniqi ndërkaq ka të regjistruar në emër të tij kompaninë “Play 4 Win”, “Play 4 Cash”, kompaninë farmaceutike “Robin Med”, kompaninë e patundshmërisë “A&A”, ndërmarrjen “Exact”, ndërmarrjen “Na Group”, ndërmarrjen “Vëllezërit Krasniqi”, si dhe fabrikën e Arit “Skenderbeg”. Të dy vëllezërit kanë shtetësi austriake dhe sipas prokurorit udhëtojnë shumë drejt atij shteti. Duke pasur këtë përparësi, prokurori ka rekomanduar që të dyshuarit të mos lirohen ngase mund t’i ikin drejtësisë.

I tërë ky hetim që ka rezultuar me arrestimin e deritashëm të tre personave, sipas prokurorit, është bazuar në dëshmitë e disa dëshmitarëve të cilët tashmë janë nën mbrojtjen e misionit EULEX.

“Të gjithë dëshmitarët japin detaje se haraçi ka nisur në vitin 2008 dhe vazhdon deri në 2013. Këto dëshmi shtrojnë dyshimin e bazuar andaj ata dyshohen për krim të organizuar të kryer nëpërmjet haraçit. Dëshmitarët kanë dhënë dëshmi të rasteve specifike të haraçit. Këtu janë përfshirë Krasniqët dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal me kërkesat fillestare që bizneset ti mbyllin veprimtarinë e tyre, t’i largojnë makinat APEX ose t’i marrin me qira prej grupit kriminal”, thuhet mes të tjerash në arsyetimin e prokurorit.

Si pjesë e kërcënimeve, prokurori pretendon se nga grupi kriminal është përdorur dhuna e madje edhe kërcënimi me armë për dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Dëshmia e Prokurorisë deri sot, tregon për një organizatë kriminale të prirë prej Arben dhe Astrit Krasniqit. Arben Neziri, së bashku me një numër njerëzish të tjerë, është anëtar i grupit. Qëllimi i grupit të organizuar kriminal është marrja e haraçit nga bizneset rivale. Kjo është arritur nëpërmjet përdorimit të kërcënimeve serioze dhe dhunës duke i shtrënguar ata që punojnë me makina bastesh që ti mbyllin ato, të heqin dorë prej përdorimit të makinave të prodhuara nga APEX-i (një kompani austriake) ose ti marrin me qira makinat prej grupit të organizuar kriminal. Të gjitha këto praktika i sjellin epërsi grupit të organizuar kriminal, por disavantazhe bizneseve dhe individëve të sulmuar”, thuhet në këtë dokument ku prokurori përshkruan dyshimin e bazuar ndaj tre individëve./zeri/