Para dialogut, qartësim i situatës politike

Tashmë një kohë të gjatë, çështja e përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje paqeje, është shndërruar në temën kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe është krejtësisht i kuptueshëm insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që palët t’i kthehen tavolinës së dialogut, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, tash e disa muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por së fundmi edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, si dhe të shtetet anëtare më të fuqishme të tij, janë duke insistuar që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen bisedimeve, të cilat janë ndërprerë rreth një vjet e gjysmë më parë, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje paqeje dhe që kjo temë të përmbyllet.
Analisti Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që insistimi i kohëve të fundit nga faktorët ndërkombëtarë, që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut, është joproduktiv.
“Kemi parë shumë shpesh që është bërë një presion, veçanërisht ndaj Kosovës, mirëpo që proceset kanë ngecur edhe për shkak të zhvillimeve politike në vend dhe në fund, nuk është se ka prodhuar diçka ky dialog. Kështu që, është mirë që pala e Kosovës, fillimisht të stabilizohet dhe të jetë unike përbrenda, ta ketë të definuar çështjen e qeverisë së ardhshme. Pra, pa e ditur se kush do të jetë në udhëheqje të qeverisë, ka me qenë problematike për ta ditur se kush ka për të negociuar në emër të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se presidenti i vendit, Hashim Thaçi duhet të qëndrojë brenda autorizimeve që i ka me Kushtetutën dhe të respektojë plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka vlerësuar se politikat e jashtme i formon qeveria e vendit.