Papunësia mbetet ende e madhe, por trendi i punësimit është rritës

Gjilan – Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, ka thënë se Kosova e më këtë edhe Gjilani kanë trashëguar një ekonomi gati të rrënuar, por rritja është pozitive nga viti në vit. Mustafa ka thënë se duhet besuar statistikave, me gjithë të metat e vogla që mund të ketë në tregun e punës, sa i përket shkallës së punësimit.

Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Gjilanit ka prezantuar të shtunën një raport për tregun e punës në këtë komunë, ku është theksuar se ritmet e punësimit janë pozitive, pavarësisht se shkalla e papunësisë mbetet ende e lartë.

Riad Rashiti, drejtor për Zhvillim Ekonomik, tha se komuna e Gjilanit shquhet për ambientin e mirë afarist që ka krijuar në këto vite, për çka është lavdëruar dhe shpërblyer edhe nga USAID-i.

Hidajete Jashari, menaxhere e Qendrës për Biznes ka thënë se së në komunën e Gjilanit, aktualisht operojnë 3.4023 biznese aktive të regjistruara si dhe 300 të tjera joformale.

Të dhënat e Qendrës së Regjistrimit të Biznesit i ka prezantuar menaxheri Fatmir Halili, i cili ka thënë se në vitin 2013 janë regjistruar 434 biznese të reja, ku janë punësuar 731 persona, ndërkaq janë shuar 83 biznese, ku janë mbyllur 100 vende pune.

Xhevat Aliu, drejtor i Qendrës Rajonale për Punësim, ka thënë se papunësia është e theksuar edhe në komunën e Gjilanit, gjë që po shkakton edhe probleme të tjera. Në QRP janë të regjistruar 18.133 punëkërkues, nga të cilët 44 për qind janë femra.

Sipas tij, dominojnë të pakualifikuarit, që përbëjnë 47 për qind e më pak ata me shkolla të larta e fakultete, që janë 4 për qind. Ai tha se fuqia punëtore është kryesisht e moshës së re, të cilët edhe atëherë kur u ofrohet ndonjë vend pune, nuk po mund të gjinden në praktikë.

Pozitive sipas Aliut ishte ndërmjetësimi në punësim, ku pati 5026 raste dhe Gjilani është në pozitën e tretë, pas Prishtinës dhe Prizrenit.

Sipas Nazmi Rapucës, drejtor për Bujqësi, në këtë sektor nga viti 2008 deri në vitin 2012, janë themeluar 769 vende të reja të punës, ndërsa deri në fund të këtij viti kjo shifër do të kalojë 1000, sepse në realizim janë edhe disa projekte të tjera.

Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, ka thënë se Kosova e më këtë edhe Gjilani kanë trashëguar një ekonomi gati të rrënuar, por rritja është pozitive nga viti në vit. Mustafa ka thënë se duhet besuar statistikave, me gjithë të metat e vogla që mund të ketë në tregun e punës, sa i përket shkallës së punësimit.

Sipas tij, trendi është rritës. Gjilani do të bëhet shpejt edhe me zonë ekonomike, meqë vendi po studiohet nga ndërkombëtarët dhe kjo do të ndikojë edhe në nivelin e punësimit.

Ibrahim Tahiri, drejtor i Odës Ekonomike Rajonale në Gjilan ka thënë se ka një trend të rritjes së numrit të punëtorëve. Avni Rudaku ( VV), tha se raporti është një prezantim i thjeshtë i të dhënave. Ai tha se të rinjtë po ikin nga Kosova dhe veçmas nga regjioni i Gjilanit, shkaku i papunësisë. Politikat e qendrës dhe ato lokale nuk ishin ashtu si do të duhej të ishin, ka thënë Rudaku./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).