RCCOLA

Papunësia alarmante në Kosovë

/ 2 minuta lexim

Papunësia gjatë vitit 2012 ishte rreth 30.9 për qind, nga 35 për qind sa ishte gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Zyrtarë të Agjencisë së statistikave thanë se nga rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë që janë në moshë pune, ndërmjet 15 dhe 64 vjeç, rreth 63 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se nuk kanë qenë aktiv në kërkim të punësimit, tha kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, në publikimin e rezultateve të anketës së fuqisë punëtore për vitin 2012.

“Nga 36.9 për qind të popullsisë që është ekonomikisht aktive, 30.9 për qind janë të papunë, që paraqet edhe shkallën e përgjithshme të papunësisë në Republikën e Kosovës për vitin 2012”, tha ai.

Në mesin e personave në fuqinë punëtore papunësia te femrat arrin në rreth 40 për qind, kurse te meshkujt rreth 28 për qind. Shkalla e papunësisë është shqetësuese tek të rinjtë ndërmjet 15 dhe 24 vjeç, mbi 55 për qind. Publikimin e kësaj ankete e ka mbështetur edhe Banka Botërore. Udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, tha se në përveç nivelit të lartë papunësisë, alarmante është shkalla e ultë e punësimit, tha Olters.

KKGJILAN

“Normat e papunësisë reflektojnë edhe ekzistencën e punëkërkuesve të dekurajuar, d.t.th. kosovarët që kanë stopuar për të kërkuar punësimin sepse nuk besojnë se ekziston mundësia për punësim”, theksoi ai.

Sipas rezultateve të anketës, 69.1 për qind apo rreth 302 mijë e 800 persona gjatë vitit 2012 kanë qenë të punësuar. Prej tyre, vetëm 27 për qind kishin kontrata të përhershme në punën e tyre, kurse paga neto te shumica e punonjësve ishte midis 300 euro deri 400 euro në muaj. Sektorët që punësonin më së shumti ishin prodhimi, tregtia, arsimi dhe ndërtimtaria, kurse 62 për qind të të papunëve e përbënin personat e pashkolluar.

Ndryshe në anketë janë përfshirë 4 mijë e 800 ekonomi familjare, ku çdo ekonomi e përzgjedhur në anketë, është intervistuar katër herë, në cdo tre muaj. /rtk/