Eko Higjiena

Papunësi alarmante, të papunët festojnë

/ 6 minuta lexim

Papunësia në vend vazhdon të jetë alarmante. Edhe pse shifrat rreth papunësisë në vend ndryshojnë varësisht nga institucionet që i japin ato, del se papunësia në vend vazhdon të sillet diku rreth 40 për qind. Përderisa në shtet të ndryshme të botës më një ekonomi shumë më të zhvilluar dhe me përqindje shumë më të ulët të papunësisë sot protestohet, qytetarë kosovarë, të papunë dhe të punësuar vazhdojnë të festojnë 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë thotë për Kosovapress se qytetarët kosovarë, nuk kanë arsye të festojnë, në një vend me përqindje kaq të lartë të papunësisë dhe ku të drejtat e punëtorëve shkelen me dyja këmbët.

“Nëse duhet të festohet në aspektin e punës një kremte atëherë do të duhej të jetë një festë e të papunëve e jo një festë për punëtorët. Meqenëse arsye për festë nuk ka, posaçërisht kur kemi parasysh se numri i të punësuarve është i vogël, ka një ecje të ngadalshme të rritjes dhe në anën tjetër rritet papunësia dhe kur janë në pyetje të drejtat e punëtorëve, atëherë ata më shumë kanë arsye që të brengosen e të protestojnë se sa të kremtojnë”, thotë Rexhepi.

Ai madje pohon se mbetet brengosëse për vendin kjo përqindje kaq e lartë e papunësisë, e cila më së shumti i prek të rinjtë.

“Deri para pak kohe, kemi pasur një shpresë së mos ndoshta të dhënat nuk janë të sakta, nuk janë të verifikuara mirë. Mirëpo pas regjistrimit të popullsisë, u pa se gjendja vërtetë është alarmante. Me një normë të papunësisë prej 45 për qind dhe kjo është shqetësuese posaçërisht për një vend, ku struktura e popullatës është shumë e re, ku norma e të papunëve te gjeneratat e reja, mbërrin deri në 70 për qind dhe kjo tregon se kjo gjeneratë, po e humb perspektiven dhe besimin për një të nesërme më të mirë”, theksoi ai.

Rexhepi, ndër të tjera, pohon se me një përqindje të lartë të papunësisë dhe varfërisë, ambienti për trazira ka qenë i kahershëm. Ai shpreh një dozë të habisë se pse njerëzit në këtë vend kaq shumë durojnë dhe nuk e manifestojnë pakënaqësinë e vet dhe se protestat në vend mbahen vetëm për të shprehur pakënaqësi politike.

“Ambienti për trazira ka qenë i kahershëm mirëpo kam një dozë të habisë, pse njerëzit kaq shumë durojnë dhe nuk e manifestojnë pakënaqësinë”, thotë ai.

Por përfaqësues të institucioneve mendojnë ndryshe. Sipas tyre nuk ka vend për protestë dhe se gjendja po përmirësohet në këtë drejtim.

RCCOLA

Behxhet Gaxhiqi, zëdhënës i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), pohon se sipas të dhënave të kësaj ministrie, të marra nga qendrat regjionale të punësimit, rezulton se në Kosovë ka 262 mijë e 531 persona të regjistruar si punëkërkues. Mirëpo ende nuk kanë një shifër të saktë, se sa vërtetë është përqindja e të papunëve në vend. Me gjithë ketë numër të të papunëve, ai mendon se Kosova, nuk rrezikohet nga trazirat e mundshme sociale, si pasojë e kësaj gjendje të krijuar.

“Nuk ka vend që të mendojmë për një gjë të tillë sepse Kosova nuk gjendet në atë rrezikun e udhëkryqit që ne mund të themi, që qytetarët të rrezikojnë me organizimin e trazirave sociale për arsye se ne jemi një shtet stabil dhe nuk jemi shtet i cili, nuk mund t’u ofrojmë përkujdesje dhe mbështetje të veçantë, në radhë të parë duke filluar nga pensionistet, skemat sociale”, thotë ai.

Prioritet i MPMS-së, sipas tij, mbetet punësimi i të rinjve dhe se kjo ministri në bashkëpunim me faktorët relevant vendor e ndërkombëtar, ka zhvilluar një sërë projektesh siç janë “Punët Publike 2012”, “Kosova e Bukur”, “Berza e Punësimit”, ku në realizimin e këtyre projekteve, janë përfshirë mbi 4 mijë e 600 punëkërkues.

Ndërsa përfaqësuesi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Haxhi Arifi thotë se Kosova ka një papunësi marramendëse dhe shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve, sidomos atyre në sektorin privat.

“Ne si BSPK, na mbetet që të fokusohemi në sektorin privat. T’i fuqizojmë sindikatat atje dhe besojmë se do të fuqizohen edhe punëdhënësit, në realizimin e të drejtave të punëtorëve, përmes këtij mekanizmi sindikal. E kemi një papunësi marramendëse në Kosovë. Statistikat e tregojnë 43 për qind. Por unë mendoj se e kemi një numër shumë më të madh”, thotë Arifi.

Por jo të gjithë mendojnë se po u shkelen të drejtat punëtorëve. Madje dikush ata i quan dhe të papërgjegjshëm.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit pohon se shumë herë flitet për padrejtësinë në punë dhe rrallë herë flitet për punëtorët e papërgjegjshëm të cilët, sipas tij, nuk i kryejnë obligimet e veta. Ai thotë se janë bërë hapa për të drejtat e punëtorëve dhe se atyre nuk i shkelen të drejtat ashtu siç thuhet. Por nuk mungojnë as kritikat në adresë të Qeverisë. Shahini thotë se Qeverisë i mungojnë politikat zhvillimore që nxisin punësimin.

“Qeverisë së Kosovës i mungojnë politikat zhvillimore që nxisin punësim…. Sa janë të punësuar në Kosovë. Këto shifra asnjëherë nuk mund as Enti Statistikor i Kosovës t’i thotë të sakta as ne të tjerët. Nëse kemi mbi 30 për qind të punësuar në informalitet atëherë a mund të themi se kemi shifrat 30%. Sipas BB që janë të papunë në Kosovë 40 për qind, sipas analizave të ndryshme e 45%. A mund të themi se janë gjithë këta të papunë. Papunësia në Kosovë është prezentë dhe ky është shqetësim”, thotë ai. /Kosovapress/