Papën e larguan korrupsioni dhe seks aferat

Papa Benedikti i XVI’të vendosi të jepte dorëheqje pas një hetimi të brendshëm, si rezultat i të cilit ai u njoftua për aferat homoseksuale, shantazhimet dhe korrupsionin që po bëheshin brenda Vatikanit, shkruan gazeta italiane ‘La Repubblica’, e cila thirret në burime të saj të paemëruara.
Sipas gazetës italiane, më 17 dhjetor 2012, papës iu dorëzuan dy dosje, me afro 300 faqe, të cilat përmbanin një “raport për peshqit e papërshtatshëm dhe të prishur brenda Detit të Shenjtë”.
Në këtë ditë, pra kur dokumentet u gjendën mbi tavolinën e tij, papa Benedikti i XVI’të vendosi që të jepte dorëheqje, megjithëse me këtë vendim luftoi gjatë kohë pas kësaj, thuhet në raportin e publikuar.
Deri të premten nuk pati asnjë konfirmim të Vatikanit lidhur me këto pohime.
Artikullin në të cilin zbulohen detaje të hetimit gazeta ‘La Repubblica’ e ka emërtuar “Seksi, karriera dhe shantazhimet në Vatikan janë shkaqe të dorëheqjes së Benediktit XVI”. Ky skandal, sipas gazetës, u hetua nga kardinalët, Joseph Tomko (ish-shef i shërbimit sekret të Vatikanit), Julian Herranz dhe Salvatore de Giorgi.
Nga të tre kardinalët, njëri prej të cilëve dikur i printe shërbimit të fshehtë të Vatikanit, ishte kërkuar që t’i konfirmonin këto pretendime, për të cilat ishte kuptuar tek pas publikimit të disa dokumenteve sekrete të papës, gjatë aferës së ashtuquajtur ‘VatiLeaks’. Asokohe, respektivisht në muajin maj të vitit të kaluar, ishte arrestuar shërbëtori i papës, Paolo Gabriele, dhe ai akuzohej se me vjedhjen e korrespodencës së papës, i kishte kontribuuar rrjedhjes së informacioneve të fshehta, të cilat Vatikanin e përshkruanin si një burim të pashtershëm të intrigave dhe të luftërave të brendshme për pushtet.
Raporti i treshes
Në mesin e ‘punëve’ të shumta të parregullta, që ndërlidhen me parregullsitë financiare në Vatikan, gazeta italiane pohon se, në raportin në fjalë, përmendet edhe rasti i kostos tejet të lartë të shpenzimeve për vendosjen e djepit në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, dhe luftën e brendshme mes kardinalëve për para dhe pushtet. Gjithashtu, ‘La Repubblica’ pohon se kardinalët në raport përshkruajnë edhe ekzistimin e një numri të madh të fraksioneve në Vatikan, përfshirë këtu edhe njërin anëtarët e të cilit i bashkon “orientimi i njëjtë seksual”. Veç kësaj, në raport sugjerohet se, disa pjesëtarë të lartë të klerit ishin shantazhuar nga laikët, me të cilët ata mbanin marrëdhënie “zbavitëse” të “natyrës së hapur”.
Nga ana tjetër, gazeta italiane citon një burim të saj të paemëruar – i cili është i afërt me autorët e raportit – të ketë thënë se:
“Çdo gjë sillet përreth dhe ndërlidhet me mozbatimin e urdhrave gjashtë dhe shtatë”.
Në fakt, urdhri i shtatë e ndalon vjedhjen, përderisa i gjashti e ndalon mëkatin seksual, edh pse, sipas sqarimeve që i jep gazeta britanike ‘The Guardian’, në kuptimin e doktrinës së Kishës Katolike, ky urdhër më tepër ka të bëjë me aktet homoseksuale. Në këtë kontekst, edhe gazeta italiane ‘La Repubblica’ përmend një rrjetë homoseksual, i cili organizonte takime seksuale nëpër vila dhe sauna të ndryshme nëpër Romë , por edhe në apartamente brenda Vatikanit.
Dosja dyvëllimëshe, “me afro 330 faqe, dhe me kopertina ngjyrë të kuqe”, sipas raporteve jozyrtare aktualisht është e vendosur në një vend të sigurt, diku brenda apartamenteve të papës, dhe ajo do t’i dorëzohet pasardhësit të papa Benediktit të XVI’të, menjëherë pas përzgjedhjes së tij.
Ndryshe, lajmi për tërheqjen e papës nga posti është bërë publik më 11 shkurt, duk shkaktuar një habi të madh në gjithë botën.