Pandemia shtrenjton vizat

Adelina Kryeziu nga Rahoveci, ka aplikuar për të marrë vizën e shtetit të Sllovenisë për të udhëtuar drejt atij vendi me qëllim të bashkimit me bashkëshortin e saj që jeton atje. Shteti slloven, siç thotë ajo, ia ka lëshuar vizën për hyrje në atë vend, por sipas saj, shërbimet për aplikim dhe rregullimi i dokumenteve të nevojshme për udhëtim i kanë kushtuar mjaft.
Njoftimi për shtrenjtimin e tarifave për vizë në Ambasadën e Sllovenisë në Prishtinë.
“Shërbimet, duke përfshirë edhe dokumentet që kemi rregulluar, vulat apostile, përkthimet, diku rreth 150 euro më janë bërë. Mandej e kemi pasur pagesën për shenjat e gishtërinjve, që më ka kushtuar 20 euro dhe sot do të bëj pagesën prej 6 euro për tërheqjen e vizës. Unë e kam (vizën) për bashkim familjar. Do të thotë e kam bashkëshortin atje dhe duhet të shkoj edhe unë. Nëse e marrim parasysh që unë jam e papunë, mundësitë i kam pasur zero për t’i kryer pagesat. Por, të gjitha këto shpenzime i ka mbuluar bashkëshorti”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Bazuar në informacionet e pasqyruara në faqet e internetit të shumicës së ambasadave në Prishtinë, të vendeve që i takojnë zonës Shengenit, që nga shkurti i vitit të kaluar, sigurimi i vizës Shengen për qytetarët e Kosovës është shtrenjtuar prej 60 në 80 euro.
Shtrenjtimi i sigurimeve
Bashkim Hashani, përfaqësues i kompanisë së sigurimeve Elsing, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe çmimet e sigurimeve që kërkohen për marrjen e vizave, janë ngritur. Sipas tij, një sigurim njëmujor ka qenë 20 euro dhe tash është 25. Çmimi për një sigurim për 90 ditë ka qenë 60 deri 65 euro, ndërkaq tash është 75 euro.
“Nëse shkojmë me sigurim njëmujor, aplikacioni dhe fotografitë, këto të tria bëjnë 35 euro. Nëse ka për të përkthyer diçka – varet prej dokumentit se çka është – një faqe është 10 euro. Nëse ka më shumë faqe, atëherë ngrihet çmimi. Në qoftë se e llogaritim edhe aplikimin brenda ambasadës, ky aplikim është 100 euro. Në të gjitha ambasadat është linear (çmimi). Kështu që minimum janë 150 euro shpenzime. Në kushtet tona janë tepër shumë. Me një pagë mesatare prej 200 deri 250 euro, duhet të llogaritësh që mos të hash dhe mos të pish fare. Kjo është tmerr”, tha Elshani.
Shërbimet për aplikim, rreth 100 euro
Gazmend Rama nga Fushë Kosova, ka aplikuar për vizë punë, po ashtu në Ambasadën e Sllovenisë. Shërbimet për aplikim për marrjen e vizës është duke i bërë në Qendrën për aplikim për viza VFS Global, e cila ofron shërbimet për vizë për Slloveni, Kroaci, Norvegji, Austri, Finland, Suedi…Pagesa e përdorimit të shërbimeve të kësaj qendre është 27 euro.
Rama vlerëson se për të arritur deri te viza dhe deri tek udhëtimi për në shtetin slloven, shpenzohet një pagë mesatare e Kosovës.
“Nevojiten diku 200 deri 250 euro për t’u nisur dhe për të arritur atje. Pra, për dokumente dhe për rrugë. Nëse nuk e lëshojën vizën, 200 euro shkojnë kot”, thotë Rama.
Shërbimet shtesë rrisin shumën e shpenzimeve
Përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve Elsing, Bashkim Hashani, thotë se vizat e punës kërkojnë më tepër shërbime, por edhe vërtetime dokumentesh.
“Ndryshimi i vetëm te dokumentacioni për vizë pune, qëndron në atë se duhet të bëhet vërtetimi i disa dokumenteve tjera në Ministrinë e Punëve të Jashtme (të Kosovës). Pra, vërtetimin e gjykatës, vërtetimin e policisë, trustin pensional. Të gjitha këto duhet patjetër të vulosen (me vulën apostile) edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aty, çdo vulosje e dokumenteve kushton nga 10 euro, plus provizioni i bankës 1 euro. Do të thotë 11 euro për një dokument. Ato patjetër duhet edhe të përkthehen dhe çdo dokument (i përkthyer) kushton nga 10 euro. Për një vizitë pune, nëse shkon me procedurë të rregullt, atëherë bëhet afërsisht 200 euro”, tregon Hashani.