Fundamenti

Pala kosovare pranon planin, por jo edhe ajo serbe

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Pala kosovare ka pranuar draftin e planit për të implementim, por pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për të debatuar për këtë çështje.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherë edhe udhëheqës i delegacionit, ka konfirmuar për Kosovapress se këtë plan e ka pranuar pala kosovare, por jo edhe ajo serbe.

“Takimi ka përfunduar pas dy ditëve të bisedimeve. Drafti i përgjithshëm i ofruar për implementim nga ne është pranuar, por pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për të debatuar. Ne presim që në takimin tjetër që do të mbahet për implementim të marrëveshjes, duhet të mbahet takimi në mes të dy kryeministrave dhe zonjës Ashton, ku edhe duhet të përafrohet plani implementues”, ka thënë Kuçi.

Vazhdon puna e ekipeve Kosovë – Serbi

Uji Dea

Takimi ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë po vazhdon edhe më tej në Bruksel, në përpjekje për harmonizimin e planit për implementimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Në praninë e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini delegacionet po diskutojnë për afatizimin e përmbushjes së 15 pikave të pajtuara në marrëveshje dhe prioritetet e punës në terren.

Delegacioni i Kosovës në këtë takim kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. I kontaktuar nga Radio Kosova, Kuçi ka bërë të ditur se takimi po vazhdon edhe më tutje, pa dashur të komentojë më shumë nëse palët i kanë përafruar qëndrimet, transmeton RTK.

Delegacioni i Kosovës një ditë më parë ia ka prezantuar kabinetit të shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy kryeministrave në Bruksel. Pasi të harmonizohet ky plan, do të jenë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq ata që do ta nënshkruajnë atë, së bashku me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Nënshkrimin në këto dy dokumente do e vejë edhe ndërmjetësja e dialogut, Catherine Ashton.

Ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se plani i Kosovës për implementimin e marrëveshjes parasheh akte ligjore, afate kohore dhe akterë të implementimit, që janë të gjitha institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë të BE-së, SHBA-së dhe akterët tjerë si EULEX-i, NATO-ja dhe OSBE-ja.