Fundamenti

Pakot e duhanit me dizajn të ri, u shtohen fotografi me vërejtje shëndetësore

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Tash e tutje, pakot e duhanit do të duken ndryshe në Kosovë.

Atyre do t’u shtohen fotografi të ndryshme, që do të shërbejnë si vërejtje për pasojat që sjell konsumimi i cigareve.

Në to do të jepen edhe mesazhe se duhanpirja shkakton vdekje, sulm në zemër, kancer në mushkëri, në fyt, në gojë, sulm në tru, sëmundje të enëve të gjakut. Gjithashtu do të vendosen fotografi të dëmeve në shtatzëni dhe fëmijëve të vegjël.

Tashmë dogana ka nisur të mos e lejojë futjen në territorin e Kosovës, të paketimeve që nuk i kanë të integruara vërejtjet e parapara në Udhëzimin Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara, që ka hyrë në fuqi në fund të shtatorit të vitit të kaluar.

“Udhëzimi ka paraparë që, gjashtë muaj pasi udhëzimi hynë në fuqi, ndalohet importi. Tani bizneset i kanë edhe gjashtë muaj për t’i shitur stoqet që i kanë brenda. Importuesit kanë qenë të përgatitur, e kanë ditur se po hynë në fuqi ky rregull i ri. Vetëm prodhuesit duhet ta përshtatin pamjen e paketimit me atë që parashihet në udhëzimin e ri”, ka thënë drejtori i Doganës, Agron Llugaliu për atv.

RCCOLA

Referuar Udhëzimit Administrativ, dhjetë fotografi të ndryshme do të vendosen në pakot e cigareve.

Në disa markete, vetëm se ka filluar të ndjehet mungesa e disa markave të cigareve. Por televizioni nuk pa në asnjë prej tyre, pako me dizajn të ri.

Psikologu Naim Telaku thotë se zbatimi i udhëzimit të ri do të ndikojë në reduktimin e pirjes së duhanit në Kosovë.

“Efekti pozitiv është ai kryesori në uljen e pirjes së duhanit nga konsumuesit e tij. Pastaj në uljen e pëlqimit apo simpatisë për duhan pirjen, në rritjen e frikës ose rezistencës për ta konsumuar duhanin, dhe ka një efekt jashtëzakonisht të madh tek ata që nuk janë konsumues të cigares të cilët bëhen edhe më rezistent dhe bëhen edhe më të neveritur nga konsumi i duhanit”, tha Telaku.

Sipas Udhëzimit Administrativ, vërejtja e kombinuar duhet të mbulojë 65% të sipërfaqes së dukshme të anës së përparme dhe po aq në pjesën e pasme të paketimit.