Fundamenti

Pakoja e Ushtrisë, një herë mashtroi Thaçi, tash kryeministri

/ 14 minuta lexim
Fundamenti

Qeveria e Kosovës, në ditën e enjte, ka miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Kosovës, për shqyrtim dhe miratim, edhe një pako të re prej tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për shndërrimin e FSK-së në ushtri të rregullt.

Maloku: Miratimi i ligjeve për Ushtrinë para se të definohet kufiri me Serbinë është fillimi i ndarjes së Kosovës në vija etnike. Do ta harrojmë veriun, si Kullën dhe Çakorrin!

“Ashtu sikurse përpjekja e parë e Presidencës, edhe përpjekja e dytë e Qeverisë do të dështojë lidhur me Ligjin për FAK-un, kur dihet se nëse nuk merret “amini” nga NATO-ja, SHBA-ja dhe BEja, as që mund të ketë ligj dhe as ushtri për Kosovën! Për të satën herë, politikanët e papërgjegjshëm kosovarë po hedhin hapa të gabuar, duke u shfaqur qesharakë dhe të pakoordinuar, siç ndodhi të enjten, kur presidenti një herë tha se nuk di gjë për Ligjin e Ushtrisë e pastaj tha se e mbështet një nismë të tillë! Veprimet skandaloze të presidentit Thaçi në stilin e “dallëndyshes”, duke e ndryshuar qëndrimin brenda disa orësh rreth çështjes së ushtrisë, ku rreth orës 10:00 të mëngjesit e sulmoi Qeverinë për projektligjin për ushtrinë, ndërkaq pasdite e “korrigjoi” qëndrimin e tij, duke e mbështetur të njëjtin, e tregon pasigurinë dhe frikën e Thaçit që mos po mbetet në bisht të ngjarjeve! Me këtë dualizëm të veprimeve, dyfytyrësi dhe nivel të ulët lidershipi, nuk na merr seriozisht asnjë shtet në botë, përkundrazi na nënvlerësojnë akoma më tepër si shtet dhe komb në përgjithësi”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Qeveria e Kosovës, në ditën e enjte, ka miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Kosovës, për shqyrtim dhe miratim, edhe një pako të re prej tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për shndërrimin e FSK-së në ushtri të rregullt.

Mirëpo, analistët politikë dhe qytetarët e anketuar po dyshojnë edhe këtë herë në seriozitetin e Qeverisë dhe të Presidencës në riaktualizimin e kësaj teme, pasi që një tentativë e tillë ishte provuar edhe më herët, por kishte ndodhur tërheqja pas presionit ndërkombëtar që ushtria të krijohet vetëm sipas Kushtetutës dhe jo me ligj, që bie ndesh me Kushtetutën. Tanimë edhe këto përpjekje të reja, nga njohësit e mirë të zhvillimeve politike në vend, po konsiderohen si vazhdimësi e lojërave dhe nismave të mëhershme, të cilat në fund nuk rezultuan me formimin e ushtrisë, pasi që për themelimin e një force mbrojtëse do të nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese, kurse bërja e saj vetëm me ligj do të jetë e dëmshme dhe mund të na konfrontojë e izolojë me faktorin ndërkombëtar. Procedimi i pakos ligjore nga Qeveria për formimin e ushtrisë më tepër, sipas analistëve, po shihet si një veprim politik, me qëllime të pasinqerta, me të cilin pushteti po përpiqet të mashtrojë opinionin dhe ta largojë vëmendjen nga krimi e korrupsioni, skandalet politike, si vizita e Vuçiqit dhe poshtërimin që ua bëri ai institucioneve të Kosovës. Dihet se përpjekjet e Presidencës dhe Qeverisë disa herë janë treguar të pa suksesshme lidhur me Ligjin për FAKun, kur dihet se nëse nuk merret miratimi nga NATO-ja, ShBA-ja dhe Evropa, as që mund të ketë ligj.

Një nismë e destinuar të dështojë
Mashtrim dhe lojë të turpshme e konsideron këtë tentativë të radhës, të bërjes së ushtrisë vetëm me ligj nga krerët kryesorë të shtetit, Qeveri dhe Presidencë, edhe analisti Reshat Badallaj. Sipas tij, edhe kjo nismë e radhës do të dështojë turpshëm para ndërkombëtarëve, sikur kanë dështuar të mëhershmet. “Mashtrimeve, rrenave, lojërave të pista të aktorëve të bandave politike, që nga majat e shtetit: Presidenca, Qeveria kuislinge, Kuvendi rrugaçësh e vagabondësh në Kosovë, tashmë u ka dalë boja dhe nuk u beson kush. Sepse tashmë populli i ka parë dallaveret e tyre dhe premtimeve boshe që kanë qenë sa për sy e faqe dhe sa për t’i hedhur pluhur syve popullatës në pikë të ditës. Kjo nuk ka ndodhur njëherë, por ka ndodhur shpeshherë dhe mu për këtë nuk i beson kush se e kanë humbur besimin. Ta zëmë, kur ka filluar të flitet ligji për ushtrinë? Ka vite dhe ç´ndodhi asgjë? Përpos mashtrimeve dhe asgjë më shumë”, u shpreh ai. Sa herë këta banditë dhe vagabondë janë zënë ngushtë janë tallur me popullin, si rasti me formimin e ushtrisë, kanë bërë ndonjë bastisje ose ndonjë arrestim sa për sy e faqe dhe sërish përfundimi ka ardhur mashtrues e i turpshëm, duke ditur se pa ‘aminin’ e NATO-s, Amerikës dhe Bashkimit Evropian është e pamundur dhe shumë i rrezikshëm. A ka turp më të madh se kur Hashimi i Brojës dikur trazonte çdo gjë, kinse për formimin e ushtrisë, kurse tani hiqet se nuk di gjë. Pra, luhatjet e këtij matrapazi lë të kuptojmë se janë shumë të rrezikshme dhe mbetet element turbullues në vend kundër vendit që lë të kuptojmë dy gjëra; ose është i sëmurë mental, ose paguhet të veprojë kundër vendit në interes të krushkut të tij, Aleksandarit, që ai vetë po e quan në shenjë përkëdhelje”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

FIDANISHTJA

ZEQA: ME KËTË DYFYTYRËSI DHE NIVEL TË ULËT LIDERSHIPI, NUK NA MERR SERIOZISHT ASNJË SHTET NË BOTË
Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se tani edhe Haradinaj po i ndjek hapat e dikurshëm të dështuar të Thaçit për krijimin e Ushtrisë. “Procedimi i pakos ligjore në qeveri për formimin e ushtrisë, për më tepër se veprim politik i Haradinajt për mbulimin e dështimeve në 100-ditëshin e parë të qeverisjes, ka qëllime të pasinqerta për shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit vendor nga poshtërimi që iu bëri Vuçiqi institucioneve tona shtetërore. Po ashtu, Haradinaj me Ligjin për Ushtrinë po përpiqet të përmirësojë imazhin e krijuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni endemik në vendin tonë. Ashtu sikurse Thaçi një vit më parë, edhe Haradinaj tani janë të vetëdijshëm se Ushtria nuk mund të formohet përmes ligjit, por vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe përmes një konsensusi të gjerë politik, vendor dhe ndërkombëtar”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. “Ashtu sikurse përpjekja e parë e Presidencës, edhe përpjekja e dytë e Qeverisë do të dështojë lidhur me Ligjin për FAK-un, kur dihet se nëse nuk merret “amini” nga NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja, as që mund të ketë ligj dhe as ushtri për Kosovën! Për të satën herë, politikanët e papërgjegjshëm kosovarë po hedhin hapa të gabuar, duke u shfaqur qesharakë dhe të pakoordinuar, siç ndodhi të enjten, kur presidenti një herë tha se nuk di gjë për Ligjin e Ushtrisë e pastaj tha se e mbështet një nismë të tillë! Veprimet skandaloze të presidentit Thaçi në stilin e “dallëndyshes”, duke e ndryshuar qëndrimin brenda disa orësh rreth çështjes së ushtrisë, ku rreth orës 10:00 të mëngjesit e sulmoi Qeverinë për projektligjin për ushtrinë, ndërkaq pasdite e “korrigjoi” qëndrimin e tij, duke e mbështetur të njëjtin, e tregon pasigurinë dhe frikën e Thaçit që mos po mbetet në bisht të ngjarjeve! Me këtë dualizëm të veprimeve, dyfytyrësi dhe nivel të ulët lidershipi, nuk na merr seriozisht asnjë shtet në botë, përkundrazi na nënvlerësojnë akoma më tepër si shtet dhe komb në përgjithësi”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

MALOKU: DO TA HARROJMË VERIUN, SI KULLËN E ÇAKORRIN
Ish-eprori i lartë i UÇK-së, ushtarak i karrierës dhe ish-deputet e nënkryetar i Kuvendit, Naim Maloku, në statusin e tij në ‘Facebook’ e sheh këtë tentativë si shumë të rrezikshme, që mund t’i paraprijë procesit të shpejtë të ndarjes së re të Kosovës, duke harruar krejtësisht “Demarkacionin” me Malin e Zi. “Miratimi i Ligjeve për Ushtrinë para se të definohet kufiri me Serbinë dhe pa votën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës është fillimi i ndarjes së Kosovës në vija etnike. Kemi me harru veriun, si Kullën dhe Çakorrin”, ka thënë Naim Maloku

GURAZIU: KY PUSHTET PO PËRPIQET TË BËJË LOJËRA ME LIGJIN PËR USHTRINË DHE TË MASHTROJË OPINIONIN
Sipas analistit Ragip Guraziu, loja e radhës me Ushtrinë e Kosovës nga kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi ka ngjallur reagime edhe te ato shtetet që nga fillimi i luftës së UÇK-së e deri këtu ku jemi na kanë përkrahur dhe ende kemi përkrahjen e tyre. “Një apel erdhi mu nga SHBA-ja dhe të tjera se kryeministri Haradinaj nuk është konsultuar me askënd, vetëm me kokën e vetë, që i krijoi një frikë edhe presidentit Thaçit, që paradite ishte pishman dhe pas dite e përkrah. Dhe, tani dihet që pa Listën Serbe, që ka ndikim në Kuvendin e Kosovës, me dirigjime nga Beogradi, dhe vetë udhëheqësit e Beogradit, pa marrëveshjet e tyre, nuk kemi ushtri, sepse në Kosovë kemi një kryeministër, president, Kuvend dhe edhe institucione palaço. Kujtoj dhe mendoj se edhe kjo është vetëm një lojë e radhës e kryeministrit Ramush Haradinaj, më tepër një veprim politik, me qëllime të pasinqerta”, u shpreh ai.”Ky pushtet mendoj se më shumë i ngjan një cirku, që po përpiqet edhe tani të bëjë lojëra me Ligjin për Ushtrinë dhe kështu të mashtrojë opinionin dhe mbase të përmirësojë imazhin e dëmtuar rëndë për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e po ashtu të lihet në harresë vizita e Vuçiqit dhe poshtërimi që ua bëri ai institucioneve të Kosovës të mjegullohet dhe pak sa të hiqet nga vëmendja edhe tentativa që me bisedimet Thaçi- Vuçiqi të bëhen pazare të dëmshme me territore në favorin e Serbisë dhe kundër interesit të Kosovës”, vijoi më tej Guraziu për “Kosova Sot”. “Deri më tani vazhdimisht kanë dështuar përpjekjet e Presidencës dhe Qeverisë lidhur me Ligjin për FAKun, kur dihet se nëse nuk merret “amini” nga NATO-ja, ShBA-ja dhe Evropa as që mund të ketë ushtri pa e bërë me bazë të ndryshimit kushtetues, por vetëm me ligj. Loja e pandershme u pa edhe në fillim, kur kishte një frikësim nga presidenti Thaçi që mos po mbetet në bisht të ngjarjeve, duke e ndryshuar qëndrimin brenda disa orësh rreth çështjes se ushtrisë, ku rreth orës 10:0 të mëngjesit e sulmoi Qeverinë për Projektligjin për Ushtrinë, ndërkaq pasdite e “korrigjoi” qëndrimin e tij, duke e mbështetur të njëjtin. Prandaj, unë konsideroj që me këso dyfytyrësi të nivelit të ulët lidershipi, nuk na merr seriozisht asnjë shtet në botë”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

QARRI: THAÇI, NGA PRESIONI DHE FRIKA E GJYKATËS SPECIALE, DUKET SE TANIMË KA FILLUAR TË FLASË EDHE PËRÇART
Analisti politik Gani Qarri thekson se krijimi i ushtrisë së vendit është urgjenca numër një për Republikën e Kosovës.”Çdo shtet i pavarur e ka ushtrinë e vet, ndërsa në rastin e vendit tonë krijimi i ushtrisë do ta betononte edhe më tepër shtetësinë e Kosovës dhe shuante orekset shoviniste serbe, për gllabërimin e mëtejmë të tokave të Kosovës apo edhe të ripushtimit të tërësishëm të saj. Procedimi i pakos ligjore në qeveri për formimin e ushtrisë, duhet të jetë një nismë serioze dhe e njëmendtë dhe assesi të shndërrohet vetëm në lojë partish dhe as të mbetet edhe më tej vetëm një veprim politik, me qëllime të pasinqerta të politikanëve të shantazhuar vendorë”, u shpreh ai.”Qeveria dhe pushtetarët aktualë me Ligjin për Ushtrinë, nuk guxojnë të mashtrojnë përsëri opinionin, në përpjekje që edhe para krimit të organizuar e korrupsionit galopant në vend, gjoja të përmirësojnë e imazhin e tyre të shëmtuar.Nisma për ushtrinë, kërkohet të jetë e sinqertë dhe jo të përdoret për mbulimin apo hedhjen në harresë të vizitës skandaloze të Vuçiqit, si dhe poshtërimin që ai ua bëri shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës.Përfundimisht pozita bashkë me opozitën, SHBA dhe vendet mike europerëndimore, duhet ta marrin kë të çështje seriozisht dhe të gjejnë mënyrën për formimin e ushtrisë, e cila do t’i forcojë themelet e shtetësisë dhe bëjë krenare gjithë Kosovën.Kjo edhe për vetë faktin se përpjekjet e deritanishme të Presidencës dhe Qeverisë disa herë janë treguar të pasuksesshme në realizimin e Ligjit për Ushtrinë, kur dihej me kohë që pa miratimin nga NATO-ja, ShBA-ja dhe BE-ja, as që mund të ketë një ligj të tillë”, vijoi më tej Qarri për “Kosova Sot”.Sipas tij,Thaçi, nga presioni dhe frika e Gjykatës Speciale, duket se tanimë ka filluar të flasë edhe përçart, një herë duke thënë se nuk di gjë për Ligjin mbi ushtrinë e pastaj duke deklaruar se kinse mbështet një nismë të tillë.

Qytetarët kanë dyshime për seriozitetin e krijimit të ushtrisë
Qytetarët e anketuar nga gazeta janë në favor të krijimit sa më të shpejtë të Ushtrisë së Kosovës, por jo të bëhet një lojë e radhës sa për t’i mbuluar dështimet deritanishme. Sipas Albert Malokut, Qeveria dhe Kuvendi kanë dështuar që në shansin e parë dhe kur i kanë pasur votat të sigurta për ta bërë ushtrinë e Kosovës, prandaj ai dyshon shumë që edhe tani mund ta përdorin këtë temë vetëm si mbulesë për dështimet tjera. “Nëse diçka është pozitive neve nga zemra urojmë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, përkundër asaj që ne jemi duke u mburrur me djemtë dhe vajzat tona kosovare që janë në FSK. Unë e ndiej ushtri FSK-në, edhe përkundër asaj që nuk kemi ushtri të rregullt, por kur i shoh këta djem e vajza kaq të përgatitur në çdo aspekt, faktikisht edhe FSK-në e pranoj si ushtri të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë mendoj që ne duhet të kemi një kulturë intelektuale dhe të mos japim deklarata bombastike të pasiguruar 100%, posaçërisht për këto temat që janë të ndjeshme e të prekshme nga komuniteti ndërkombëtar, kështu që ne duhet të punojmë së bashku me vëllezërit dhe motrat, miqtë amerikanë, por edhe me miq e dashamirë evropianë, që ia duan të mirën Republikës së Kosovës edhe në procesin e ndërtimit të ushtrisë- Forcave të armatosura të shtetit”, theksoi Maloku. Dyshim për seriozitetin e krijimit të ushtrisë tani ka edhe qytetari Mustafë Gashi. “Konsideroj se nuk ka asnjë qytetar i cili e do këtë shtet të ri e nuk e dëshiron që të formohet sa më shpejt ushtria e shtetit të Kosovës. Mirëpo këta që janë tani në pushtet me veprimet tyre të deritanishme më shumë kanë vepruar negativisht sesa pozitivisht, prandaj dhe tani nuk e shoh serioze nisjen dhe qëllimin e tyre”, vlerësoi Gashi. Sipas tij, shteti nuk ndërtohet me politika të tilla mashtruese.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.