Pakoja e frikshme
Pakoja e dytë fiskale është lavdëruar nga qeveria, por ka skepticizëm nga biznesi. Edhe vetë ministri në detyrë i Bujqësisë ka pasur shumë vërejtje në mbledhjen e ditës së hënë të qeverisë për në disa masa, që mund të kenë efekte negative. Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se këto masa janë si rezultat i konsultimeve me të gjitha palët dhe do ta ngrejë në nivel tjetër ambientin për biznes.
Masat e reja fiskale mund t’i dëmtojnë bujqit
Pakoja e dytë fiskale është lavdëruar nga qeveria, por ka skepticizëm nga biznesi. Edhe vetë ministri në detyrë i Bujqësisë ka pasur shumë vërejtje në mbledhjen e ditës së hënë të qeverisë për në disa masa, që mund të kenë efekte negative. Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se këto masa janë si rezultat i konsultimeve me të gjitha palët dhe do ta ngrejë në nivel tjetër ambientin për biznes.
Por, lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për “Kosova Sot” se ende nuk mund të japim ndonjë vlerësim ngase e njëjta pako fillimisht duhet që të hyjë në fuqi e më pastaj të shohim rezultatet e saja. “Kjo pako ende është e nevojshme të plotësohet me Udhëzime Administrative dhe është në pyetje se kush do t’i bëjë këto, qeveria në dorëheqje apo qeveria e re”, u shpreh ai. “Ne kemi pasur disa kërkesa dhe ato kërkesa të AKB-së i ka pasur parasysh Qeveria e Kosovës dhe si po duket ato janë futur, por ato duhet që ende të ndryshohen sipas këtyre masave, ngase ato ndryshime bëhen përmes Udhëzimeve Administrative”, tha Shahini.
Bujqësia u la pas dore
Eksperti i bujqësisë dhe ligjëruesi universitar, Imer Rusinovci, tha për “Kosova Sot” se pajtohet me vërejtjet e ministrit Memli Krasniqit ndaj pakos së dytë fiskale. “Nëse qeveria e re do të fillon me implemetimin e kësaj strategjie, kam frikën se me këtë pako të re do ta pësojnë prodhuesit vendorë me një theks të posaçëm kam frikën se do ta pësojnë fermerët tanë “, u shpreh ai .”Frika ime bazohet në faktin se Pakoja e re Fiskale ka shumë pak benefite për fermerët kosovarë, krahasuar me atë se çfarë bëjnë shtetet e rajonit për fermerët dhe bujqit e tyre me ndihma subvencione kreditimeve dhe formave të tjera të ndihmave që ata u ofrojnë atyre”, ka thënë eksperti Rusinovci.
Ai sqaron se ndonëse ka pak përmirësime krahasuar me të kaluarën, edhe me këtë pako në përgjithësi sektori i bujqësisë nuk e ka marrë tretmanin e duhur që ka qenë dashur që ta ketë, ngase bujqësia ka qenë dashur që të jetë njëra nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, duke hartuar një plan zhvillimor afatshkurtër dhe afatmesëm.
Dyshimet për efektet e pritshme
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për “Kosova Sot” se as pakoja e parë nuk ka qenë e mirë për prodhuesit kosovarë, e lëre më kjo e dyta. “Sidomos kjo Pako e re Fiskale me së shumti do t’u bëjë dëm bujqve, të cilët nga orët e mëngjesit e deri në mbrëmje qëndrojnë në fushat e tyre, për të punuar dhe mbjellë tokën e tyre, por rezultati përfundimtar i tyre është zero, që kjo do të thotë se deri më tash askush nuk po mbështet këta bujq dhe askush nuk po tenton njëherë që prodhimet e tyre vendore t’u ndihmohet nga shteti për t’i shitur”, theksoi ai.
Ndërsa bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot” se nuk e di në detaje se çfarë saktësisht përmban Pakoja e Re Fiskale e Qeverisë ‘Mustafa’, që është në largim . Por, ai shton se nga reagimet e para që i ka parë më medie dhe nga vërejtjet, që i ka bërë ministri i Bujqësisë lë vend të madhe për dyshime se ajo është një pako, që është pritur nga bizneset. “Unë jam në dyshim se qeveria e re që do të formohet do t’i përmbahet kësaj Pakoje të Re Fiskale, ngase ata do ta kenë strategjinë e tyre zhvillimore”, theksoi ai./kosova sot/


