Pak shpresa për qeveri ndryshe
Qeveria e re në krye me Ramush Haradinaj nuk pritet të sjellë ndryshime në qeverisjen e vendit, dhe ka pak gjasa që ky bllok të trajtojë ndryshe nga qeveria në largim sfidat me të cilat ballafaqohet aktualisht Kosova.
Kështu të paktën vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend. Sipas tyre sikurse qeveria Thaçi edhe qeveria Haradinaj do ta kenë formatin e njëjtë qeverisës. Analisti Shpend Kursani, ka thënë se blloku nuk ka ofruar deri më tani qasje më ndryshe karshi problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Nëse marrim parasysh këto tri parti politiken, duke mos e përfshirë Vetëvendosjen, ky bllok nuk ofron ndonjë program apo qasje ndryshe nga qeveria e kaluar, përpos njerëzit do të ndryshojnë, ministrat të tjerë, kryeministër tjetër”, ka thënë Kursani.
Kursani më tutje ka thënë se në dy çështje mjaft të ndjeshme, siç është procesi i negociatave me Serbinë dhe ai i privatizimit nuk do të ketë qasje tjetër të bllokut LDK-AAK-Nisma nga qeverisja e kaluar.


