Pak policë shqiptarë në Luginën e Preshevës

Projekti i policisë multietnike i cili kishte nisur nga OSBE në vitin 2001 kishte për qëllim kthimin e besimit të qytetarëve në organet shtetërore, duke përfshirë në mënyrë proporcionale pjesëtarët e komuniteteve të zonës.


Por, ndryshe nga qëllimi ka disa vite që ky projekt po rrezikon të mbetet me një numër simbolik të shqiptarëve. Nagip Arifi, kryetar i Komunës në Bujanoc dhe ish-anëtar i Komisionit për Policinë Multietnike shpreh shqetësimin e tij për rënien e numrit të policëve shqiptarë dhe mosplotësimin e këtij numri po me shqiptarë.

Shqetësuese sipas Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Luginës, është edhe përfshirja simbolike e shqiptarëve në strukturën komanduese e edhe në administratën e policisë raporton rtk, transmeton Albinfo.ch.

Policia multietnike është themeluar si rezultat i marrëveshjes së paqes të njohur si Marrëveshja e Konçulit në maj të vitit 2001 të nënshkruar nga përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së dhe ata të Qeverisë së Serbisë, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Aleancës Veriatlantike – NATO-s.

Që nga themelimi e deri më tani, dhjetëra policë shqiptarë janë larguar nga detyra, disa të suspenduar, një numër kanë vdekur dhe disa vullnetarisht janë larguar, ndërsa asnjëherë ky numër nuk është plotësuar me shqiptarë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS