RCCOLA

Pak fjalë për raportet tona me Evropën – perëndimin

/ 7 minuta lexim

Nga Sinan Sadiku – Ankesat tona ndaj Evropës kanë një histori të gjatë, porse unë mendoj që së pari ne duhet t`i kryejmë punët tona, ta duam atdheun tonë, popullin tonë, ta ndërtojmë shtetin e mirëfilltë ku ka mirëqenie sociale dhe ku nuk ka të privilegjuar (politikanët me familjarët dhe shërbëtorët e tyre) e të diskriminuar. Në raportet midis shteteve dhe popujve nuk ka dashuri, por ka interesa dhe kështu ka qenë çdoherë. Shtetet dhe popujt i shikojnë interesat e veta pa marrë parasysh a janë shtete Evropiane, Aziatike, Afrikane, Amerikane… Edhe ne vet nuk jemi sa duhet të drejtë në raport me njëri-tjetrin, nuk jemi sa duhet human, solidar shpeshherë duke bërë krejt çka na vjen n`kuti, duke e shkelë fukaranë, atë që nuk ka të njohshëm e lidhje dhe që nuk është i djallëzuar, derisa Evropiano-Perëndimorët janë larg më të mirë me ne.

Mendoj që ne pa të drejtë i biem në qafë Evropës, presim tepër nga ajo, në vend se vet t`i rregullojmë punët tona në drejtësi, arsim, shëndetësi, në diplomaci, në kulturë, në mbrojtje, në luftimin e gjërave të këqija si: krimi, korrupsioni, narkomania, nepotizmi… Nëse i lëmë mënjanë pritjet tona të tepruara nga Evropa, përpjekjet që për dështimet tona t`i fajësojmë të tjerët etj. shohim se ankesat tona ndaj Evropës, fajësimet e Evropës… janë të pa baza. T`i kthehemi historisë. Shkruajmë se Evropa i copëtoi territoret tona në Kongresin e Berlinit. Kjo nuk qëndron. Gjatë viteve 1876-1878 nuk ka luftuar Evropa kundër shqiptarëve, por kanë luftuar Perandoria Ruse me aleatët e vet kundër Perandorisë Osmane për t`i copëtuar edhe territoret shqiptare. Qëllimi i Rusisë ka qenë, që edhe me ndihmën e satelitëve të vet përmes pansllavizmit, të dalë në Detin Adriatik, në Detin Mesdhe dhe ta marrë Stambollin, Kostandinopojën e dikurshme dhe ta bëjë kryeqytet të vetin. Po të mos ishte reagimi i shteteve Perëndimore, Rusia qysh atëherë do ta realizonte synimin e vet, sepse Perandorinë Osmane e shtriu për toke për një muaj luftë. Pra territoret shqiptare nuk i ka okupuar Evropa, por i ka okupuar Serbia me ndihmën e Rusisë. Edhe në Luftën e Parë Ballkanike nuk ka luftuar Evropa kundër shqiptarëve, por kanë luftuar shtetet ballkanike: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kundër Perandorisë Osmane, me qëllimin kryesor që t`i okupojnë territoret shqiptare.

Serbia, Greqia dhe Mali i Zi ia kanë arrit t`i okupojnë pjesën më të madhe të territoreve tona. Pra territoret shqiptare nuk i ka okupuar Evropa, nuk i kanë okupuar as Anglia, as Franca, as Gjermania, as Austro-Hungaria, as Italia, po ato i kanë okupuar fqinjët tanë shovinistë serbë, grekë dhe malazez. Po të mos reagonte Evropa shtetet fqinje për një kohë të shkurtër do ta na shfarosshin. Shfarosjen tonë e ka ndaluar Evropa, e veçmas e kanë ndaluar Austro-Hungaria me Italinë. Po të kishim mundur ne t`i përballonim ushtritë e shteteve fqinje dhe po t`u vinte në ndihme atyre ndonjë shtet Perëndimor për të na okupuar, atëherë do të mund ta fajësonim Evropën. Kjo nuk ka ngjarë, por ka ngjarë e kundërta siç e shkrova më lartë. Në Luftën e Parë Ballkanike ne nuk kemi qenë të organizuar sa duhet për mbrojtje. Ka luftuar me heroizëm të pashoq Garnizoni Ushtarak Turk i Shkodrës i cili me ndihmën edhe të vullnetarëve atdhetarë shqiptarë, e ka mbrojtur Shkodrën, porse në fund del një shqiptar, Esad Pashë Toptani, e vret komandantin turk dhe Shkodrën ua dorëzon malazezëve!

Uji Dea

Edhe pas Luftës së Parë Botërore të cilën e kishte humbur aleati ynë kryesor Austro-Hungaria, po të mos na mbronte Perëndimi, fqinjët do të na shfarosnin. Por bënë rahmet dhe na mbrojtën fillimisht SHBA në krye me Vilsonin e më pas edhe Mbretëria e Bashkuar (Anglia).

Në vitin 1999 Serbia e Millosheviqit deshi të na shfaroste, por intervenoi Perëndimi (NATO) dhe na mbrojti, duke na e mundësuar, madje edhe duke na përkrahur në të gjitha aspektet, që ta krijojmë shtetin tonë Republikën e Kosovës. Megjithatë përkundër gjithë asaj mbështetje ne nuk po arrijmë ta bëjmë siç duhet një shtet taman Evropian ku sundon ligji, ku ka mirëqenie sociale, arsim dhe shëndetësi të zhvilluar. Po të mos na mbronte Perëndimi, shpesh herë edhe nga vetvetja, punët do t`i kishim shumë më keq se që i kemi tani. Kujtojeni vet shkatërrimin e shtetit shqiptar në vitin 1997 dhe shumë ngjarje të tjera. Andaj ankesat tona ndaj Evropës, Perëndimit nuk kanë asnjë bazë. Këto ankesa të pabaza mund t`i zhgënjejnë miqtë tanë. Ne duhet t`u jemi shumë mirënjohës atyre që u treguan human dhe na shpëtuan nga shfarosja që do ta bënin fqinjët. Është vlerë njerëzore ta ndihmosh njeriun, ta ndihmosh një popull, por edhe ai njeriu, populli të cilit i ke ndihmuar duhet të tregohet mirënjohës, se nuk bënë ndryshe. Mirënjohja është vlerë e mirëfilltë njerëzore edhe shqiptare të cilën duhet të dimë ta kultivojmë.

Ne së pari vet duhet të bëhemi evropianë, të sillemi si evropianë ndaj njëri-tjetrit, t`ia japim krahun të drejtit e jo të fortit, të krijojmë institucione të cilat e mbrojnë dhe i sigurojnë jetë të dinjitetshme të varfrit, personave me aftësi të kufizuar, të moshuarve t`i trajtojmë e mjekojmë siç duhet të sëmurët, t`i përgatisim për jetë dhe punë të rinjtë, t`u sigurojmë atyre ardhmëri e jo që ata ardhmërinë ta projektojnë diku në Perëndim; pastaj nëpër institucione të pranojmë njerëz me kompetencë profesionale, t`u krijomë të njëjtëve hapësirë për punë; ta ndajmë shumë më drejtë pasurinë kombëtare … e tek më pas të kërkojmë drejtësi prej të tjerëve. Të tjerët na përcjellim, na shohim çka po bëjmë e si po sillemi me njëri-tjetrin, me atdheun, me kombin. Kosova me 1.7 milion banorë ka ministra dhe zëvendësministra sa kanë bashkërisht Gjermania, Franca dhe Italia, tri shtetet më të mëdha evropiane, dhe mendoni pak sa i beson dikush nga Evropa një ministri tonë i cli i thotë atij ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet për tu bërë pjesë e UE-së, ndërsa në anën tjetër nuk japim shtesa fëmijërore, të punësuarit që mbeten pa punë i lëmë në mëshirën e fatit, të rinjve nuk ju kemi krijuar kushte për punë dhe jetë në Kosovë, e ata mezi presin të ikin disi diku në Perëndim! Shyqyr prej Zotit që na monitoron Perëndimi se po të na lente taman të pavarur do ta hanim mish njëri-tjetrin./rajonipress/