Pajtohen për zgjedhje, jo edhe për telekomin dhe energjinë

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic nuk kanë arritur marrëveshje për energjinë dhe telekomin, por janë pajtuar vetëm për zgjedhjet lokale.
Në njoftimin e Zyrës së Ndërmjetësueses, Baroneshes Ashton thuhet se dy Kryeministrat janë pajtuar që zgjedhjet e nëntorit të mbahen në mënyrë të rregullt.
“Dy kryeministrat kanë diskutuar dhe janë pajtuar që zgjedhjet e 3 nëntorit të mbahen në mënyrë të rregullt dhe të ketë sa më shumë pjesëmarrje”, thuhet në njoftimin Zyrës së Ashtonit pas takimit të 14-të Thaçi-Dacic-Ashton.
Sa i përket temave tjera, Zyra e Ashtonit ka njoftuar se do të diskutohet në ditët në vazhdim.
“Puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka njoftuar Ashton.
Thaçi dhe Dacic përsëri me Ashton
Kabineti i Baroneshës Ashton ka njoftuar pak më parë se ka filluar raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Dacic.
“Përfaqësuesja e Lartë e Ashton aktualisht është duke takuar Kryeministrin Dacic me ekipin e tij dhe Kryeministrin Thaçi me ekipin e tij. Ata po e diskutojnë çështjen e implementimit të marrëveshjes” ka thënë Maja Kocijancic në njoftimin për media.
Si zakonisht BE nuk ka dhënë më shumë detaje rreth takimit.
Por në agjendë pritet të jetë, zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në Veri të Kosovës si dhe formimi i asociacionit të komunave serbe.
Ndërkohë, para takimit, Kryeministri Thaçi ka folur me entuziazëm se do të ketë pajtim me Serbinë për temat që do të diskutohen.
“Unë shpresoj që sot të arrijmë marrëveshje sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit”, ka thënë Kryeministri kosovar.
“Ne do të diskutojmë edhe për qartësimin e tërë procesit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, ku kam besim të plotë që edhe serbët e veriut do jenë pjesë e këtij procesi demokratik. Ne do të ndihmojmë maksimalisht me të gjitha përgjegjësitë tona e që së bashku me mekanizmat ndërkombëtar së bashku do krijojmë kushtet e rrethanat për pjesëmarrje sa më masive të serbëve në zgjedhjet e para që do organizohen edhe në veri”, ka shtuar ai.(express)