RCCOLA

Pajaziti: Gjilani ka ndryshuar shumë nën udhëheqjen e PDK-së

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Partia Demokratike e Kosovës edhe në Gjilan, me shumë lehtësi do të dalë para qytetarëve ngase si parti kemi treguar pjekuri si në organizimin politik ashtu edhe në qeverisje ka thënë Zenun Pajaziti.

“Në udhëheqjen e PDK-së dhe pushtetit i kemi njerëzit më të mirë, kemi rezultate në realizimin e projekteve të mëdha që ishin në dobi të qytetarëve në tërë komunën” ka deklaruar kryetari i degës së PDK-së në Gjilan Zenun Pajaziti në takimin me strukturat e nëndegës së X-të të PDK-së (lagja Dardania) në Gjilan.

Pajaziti ka thënë se Gjilani ka ndryshuar shumë prej kur udhëheq PDK, por jemi të vetëdijshëm që ne ende kemi obligime karshi qytetarëve të komunës dhe për këtë ne përherë kemi treguar si kemi udhëhequr, po vazhdojmë të tregojmë arsyeshëm para qytetarëve edhe për ato projekte që nuk kemi arritur t’i përfundojmë e për të cilat po zotohemi se do t’i realizojmë.

Pajaziti ka shtuar se qytetarët e komunës së Gjilanit na besuan dhe besojnë në PDK për shkak të kaluarës sonë, për shkak të punës dhe rezultateve që kemi arritur dhe për shkak se ne po tregojmë drejtë për punë që do t’i bëjmë.

Mobi Casa

“Si PDK me përgjegjësi po shpjegojmë detyrat dhe përgjegjësitë që kemi për komunën. Shikuar në përgjithësi qeverisja e PDK-së ka punuar në shumë segmente për mirëqenie dhe krijim të kushteve më të mira për qytetarët. Qeverisja nga PDK ka ndërtuar autostrada, shkolla, ka arritur t’i heq gjeneratorët, ka arritur ngritjen e pagave për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë e projekte të tjera që konsiderohen kapitale.
Prandaj vetëm PDK mund t’i përmbyllë dhe jetësojë projektet e mëdha për Gjilanin dhe Kosovën” ka thënë Pajaziti.

Sipas tij mandati tjetër i qeverisjes nga PDK ka me qenë i Kosovës në Europë dhe i ekonomisë së regjionit të Gjilanit, përmes së cilës Gjilani do të shndërrohet një qendër të zhvilluar dhe të rëndësishme për vendin.

Më tutje Pajaziti ka shtuar se u bëjmë me dije të tjerëve që investimet në Komunë vijnë nga shteti duke respektuar procedurat institucionale, e jo në mënyrën çfarë po veprojnë ata.

Ndërsa kryetari i nëndegës së X-të të PDK-së, Raif Ajeti ka deklaruar se me strukturat udhëheqëse të PDK-së dhe qeverisjes si dhe në bashkëpunim me qytetarët do të kryejmë detyra në shërbim të lokaliteteve dhe do të realizojmë projekte të cilat për lagjen Dardania dhe në përgjithësi për komunën e Gjilanit do të jenë me prioritet./rajonipress/