Pajazit Nushi, model për gjeneratat e reja
Psikologu dhe doktori i parë i shkencave psikologjike në Kosovë akademik Pajazit Nushi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Nushi, i cili ishte nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës deri në momentin kur vdiq, në mbledhjen përkujtimore, të mbajtur në rastin e vdekjes së tij, është vlerësuar si njeri që ka sakrifikuar në zhvillim të arsimit, kulturës dhe të shkencës, derisa është thënë se ai është model për gjeneratat e reja. Pajazit Nushi sapo kishte mbaruar dhe botuar në Akademi veprën kapitale “Leksikoni i psikologjisë” në dy vëllime.
Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në mbledhjen përkujtimore me rastin e vdekjes së akademik Pajazit Nushit, ka thënë se është një humbje e madhe për familjen, të gjithë kolegët dhe miqtë e tij, për Akademinë dhe Shkencën, për shoqërinë.
“Janë të njohura studimet dhe kontributet e profesor Nushit në rrafshin teorik dhe empirik nga psikologjia e përgjithshme, psikologjia sociale, psikologjia e religjionit, terminologjia e psikologjisë, psikologjia pedagogjike, etnopsikologjia, leksikologjia shqipe dhe sfera e metodologjisë hulumtuese të psikologjisë”, është shprehur Islami, duke shtuar se si hulumtues e studiues i zellshëm dhe si pendë shumë produktive ishte një shfaqje e re në këto shkenca te ne, duke u ngritur dhe afirmuar edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe hapësirës etnike shqiptare.
“Nga këto fusha na la shumë vepra, studime e trajtesa”, ka thënë Hivzi Islami, duke shtuar se pa profesor Pajazit Nushin shkencat psikologjike në Kosovë do të ishin shumë të varfra, mbase edhe të panisura. “Si kontribuues i madh në çdo nivel të jetës publike dhe shoqërore u shqua në mbrojtjen e qenies kombëtare dhe kulturore në kohën e jetës sonë autonome, por edhe më vonë, në kohë shumë të rënda për Kosovën dhe shqiptarët, kur bashkë me të tjerët u vu në ballë të mbrojtjes të së drejtave dhe lirive të njeriut dhe pastaj në instancën qeveritare për të pagjeturit”, ka thënë Islami.
Edi Shukriu, akademike, thotë se ndarja nga jeta e Pajazit Nushit është humbje e madhe në Akademinë e Shkencave. “Pajazit Nushi, Mark Krasniqi, Esat Stavileci e Aleksandër Stipçeviç janë figura që kanë dhënë kontribut tejet të madh pikë së pari për shkencën e Kosovës, shkencën shqiptare, rajonale e botërore”, ka thënë Shukriu, duke shtuar se profesor Pajazit Nushi ishte psikologu i parë i Kosovës, doktor i shkencave, akademik i cili la mjaft vepra pas vetes.
“Mendoj se tek me kohën do të shohim se sa humbje të mëdha kemi pasur”, ka thënë Edi Shukriu, derisa ka shtuar se Pajaziti do të jetë model për gjeneratat e reja. “Shpresojmë që të kemi gjenerata të reja, të cilët do të përcjellin edhe punën e Pajazit Nushit e dhe punën e akademikëve të tjerë që u ndanë faktikisht nga jeta, por që lanë veprat e tyre, për të folur për ta. U bënë edhe model me punën e tyre për gjeneratat e reja”, është shprehur Edi Shukriu për Pajazit Nushin, i cili është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit për “Të arriturat arsimore e shkencore” në Krahinën e asaj kohe. Më 1970 është shpallur “Qytetar Nderi i shtetit të Teksasit”, po atë vit është shpallur “Qytetar Nderi i shtetit Nebraska” në SHBA, më 2003 është dekoruar me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit” nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” dhe më 2013 po ashtu nga Komuna e Gjakovës është nderuar me Çmimin “Gjakovari i Ndritur”.
Muhamet Rizvanolli, mik i akademik Pajazit Nushit, thotë se janë rritur bashkë me Pajazit Nushin. “Shkollën e kemi kryer bashkë, kemi kaluar ditët më të mira fëmijërore. Bashkë kemi qenë në fillore, në të mesmen, në fakultet, gjithnjë kemi qenë bashkë”, ka treguar Rizvanolli, i cili thotë se me dhembje të madhe do ta kujtojnë akademik Nushin.
“Kemi vetëm kujtime të mira për të, të cilat nuk harrohen gjatë gjithë jetës”, është shprehur Muhamet Rizvanolli, profesor i matematikës. Ai thotë se Pajazit Nushi është ndër shokët që i ka dhënë shumë kontribut për shoqërinë dhe për kombin. “Me shoqërinë që kemi pasur, me punën që e ka bërë deri më sot edhe ne shokët mburremi që e kemi pasur një shok të tillë”, është shprehur Rizvanolli derisa ka thënë se ka qenë ndër shokët më të mirë, ndër më të dalluarit.
Jusuf Bajraktari, sekretar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thënë se emri i Pajazit Nushit është simbol që shpreh besueshmërinë, garancinë dhe respektin e veçantë të popullit të Kosovës për rrugën e mundimshme dhe plot sakrifica të zhvillimit të arsimit, kulturës dhe të shkencës nga vitet ’50-ta të shekullit XX e deri më sot.
“Kur njeriu lexon biografinë e akademik Pajazit Nushit, habitet se ku ky intelektual i formatit të veçantë e gjente gjithë atë energji krijuese për ta vënë në shërbim të zhvillimit e të emancipimit të popullit të tij”, është shprehur Bajraktari, derisa ka thënë se ata që e njohin personalitetin e Pajazitit dhe që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me të, në punë e projekte të ndryshme, i vlerësojnë lart kapacitetet e tij krijuese.
“Ai është ndër ato figura të rralla të jetës sonë kulturore, ku janë shkrirë në një mënyrë të natyrshme aftësitë intelektuale, madhështia njerëzore, urtësia e natyrshme, mirësjellja bujare, pedanteria dhe korrektësia e pashoqe”, ka thënë Jusuf Bajraktari.
Pajazit Nushi i lindur në Gjakovë, në vitin 1933, ka lënë pas vetes veprat si “Bazat psikologjike të kulturës të së folurit të nxënësve të shkollës fillore”, “Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipes”, “Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre”, “Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit”, “Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore”, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (kërkimet teorike empirike)”, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike”, “Psikoanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar”dhe “Fjalor shpjegues i psikoanalizës”./zeri/

