Pahor komenton deklaratën e Vuçiqit për Kosovën, e quan tendencioze dhe të papranueshme

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se Sllovenia sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

Pahor tha se kjo ishte një deklaratë tendencioze dhe e papranueshme.

“Unë të dy shteteve ju them se Sllovenia dhe Serbia sa i përket çështjes së Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Sllovenia e ka njohur Kosovën si shtet, ndërkaq Serbia nuk e njeh. Deklarata e presidentit Vuçiq ishte e papranueshme dhe tendencioze”, u shpreh Pahor.

Presidenti slloven ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën duke thënë se BE-ja duhet të mbajë premtimin.

“Siç thashë gjatë bisedës edhe me Vuçiqin, për atë që shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate t’iu mundësohen sa më shpejtë negociatat. Bosnjës t’i ofrohet statusi i kandidates. Në lidhje me heqjen e vizave, që të plotësohen premtimet. Mendoj që tema është edhe kriza energjetike që na pret. Mendoj që qëllimi është që të mos harrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të them se në vitet e fundit si problem kryesor është përmendur ngecja në negociata. Por unë jam i gëzuar për një rezultat të pjesshëm të dialogut në Bruksel. Këtu në Prishtinë, dhe kudo të vijë në takime, do t’iu them tani, gjendja e besueshmërisë po dëmtohet, besueshmëria po bie”, tha Pahor.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Pahor ka deklaruar se kjo marrëveshje duhet të implementohet.

“Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte po ashtu për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, unë nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë ai./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS