Pagjumësia, shkaktarët dhe këshillat
Pagjumësia po prek çdo ditë e më shumë shqiptarët. Rritja e numrit të personave që vuajnë nga çrregullimet e gjumit vjen si pasojë e stresit, stilit të jetës, por edhe përdorimi i stimulantëve dhe vitaminave.
Lumturi Mërkuri, mjeke specialiste e Shëndetit Publik, shpjegon se nëse nuk flemë si duhet ndjejmë lodhje, jemi pa humor, acarohemi shpejt, na dhembin muskujt ose koka etj. Për më tepër, një pagjumësi e vazhdueshme, sipas saj, mund të shkaktojë probleme serioze me shëndetin.
“Çrregullimi i gjumit çon në dobësim të sistemit imunitar, ulje drastike të humorit, përqendrimit, sistemi nervor nuk funksionon në rregull, por mund të shkohet deri në humbje të kujtesës. Nëse problemet me gjumin vazhdojnë për një kohë të gjatë, atëherë do të ketë ndikim edhe në aktivitetin gjatë ditës, shton nervozizmin, por shpesh kthehet edhe në burim aksidentesh”, – sqaron specialistja e ISHP-së, Mërkuri.
Investimi për një gjumë të rehatshëm, sipas specialistëve është shumë i domosdoshëm, pasi jo vetëm për faktin se gjumi të rigjeneron, por edhe sepse një person 1/3 e jetës e kalon në gjumë. Sipas specialistes Mërkuri, shkaktarët për gjumë jo të mirë lidhen me mënyrën e ushqimit, përdorimi i medikamenteve apo vitaminave, dhimbjet e ndryshme, por edhe kafshët shtëpiake, sidomos nëse ato mbahen në dhomën e gjumit. “Shumëkujt nuk i shkon në mendje, por ushqime të ndryshme bëhen shkak për prishjen e gjumit. Ushqimet pikante si salcë domateje, djegëse, pica etj., para gjumit nuk duhet të konsumohen, sepse irritojnë stomakun dhe ju zgjojnë. Po ashtu, disa ushqime si proshutë, salsiçe, sheqer, sallam, spinaq, verë, domate, lakër turshi, patate, patëllxhan, djathë, përmbajnë nivele të larta të aminoacidit tyramine, i cili liron norepinephrine, – një stimulues i trurit që na bën të ndihemi vigjilentë”, – thotë Mërkuri.
Ajo këshillon që të mos konsumohet gjë sidomos dy orë para gjumit, ose nëse vendosni për të ngrënë diçka, hani: banane, hurma, fiq, qumësht, arrë, ton, kos, pasi këto produkte kanë tryptophan, një ndihmës natyral i gjumit. Një tjetër armik i gjumit është televizori.
“Hiq televizorin nga dhoma e gjumit. Mos shiko asgjë dramatike/ shqetësuese në televizor para gjumit. Shumë njerëz përdorin televizionin për të rënë në gjumë dhe ky është një gabim”, – thotë ajo.
Ndërkohë që, këshilla të tjera që ajo sugjeron për të fjetur sa më rehat janë: ushtrimet fizike gjatë ditës, leximi i një libri apo një shëtitjeje në darkë, kujdesi në mënyrën e ushqimit në darkë, dush me ujë të vakët para se të shtrihemi për të fjetur.
“Për një gjumë të mirë duhet padyshim edhe një dyshek i rehatshëm. Avancimi i teknologjisë e mundëson një gjë të tillë, ndaj ju këshilloj që të blini një dyshek të mirë, pasi shpenzoni 1/3 e jetës suaj në shtrat, kështu që ia vlen të investosh për të”, – apelon specialistja Lumturi Mërkuri.


