Mobi Casa

Pagesa e autostradës nuk do të jetë më e lartë se 5 euro

/ 3 minuta lexim

Tiranë – Në janar të vitit 2013, qeveria shqiptare do të vendosë se cilës firme do t’i japë të drejtën për të kontrolluar me anë të koncesionit autostradën Durrës-Kukës, ndryshe e cilësuar si “Rruga e Kombit”, për shkak të rëndësisë dhe vlerës së investimit.

Zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka, përgjegjësi direkt për projektin, vijon të mbajë të fshehtë detajet e koncesionit, pavarësisht se për të kaluar rrugën do të paguhen paratë dhe firmat e parakualifikuara janë përzgjedhur me kohë. Tenderi i koncesionit është realizuar prej afro një viti, por ministri nuk jep sqarime për pagesën, se si do të zgjidhet çështja e kalimit për në fshatra dhe zonat e tjera që preken nga autostrada.

“Në janar do të lidhet kontrata me firmën fituese, e cila do të ketë disa detyrime, jo vetëm për të vjelë të ardhura nga taksa, por edhe realizimin e investimeve të nevojshme, të cilat në vlerë shkojnë diku te 80-100 milionë euro”, u shpreh në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Noka, transmeton TCH. Sipas tij, autostrada do të jetë e rrethuar me tela, për të mos lejuar kalimin e bagëtive, të cilat shpeshherë kthehen në shkaktare të aksidenteve.

RCCOLA

Debat pati edhe për panoramën që ofron rruga. Shqetësimin e ngriti deputeti ambientalist i PS-së, Besnik Bare, duke marrë si shembull pjesën tjetër të autostradës në pjesën e Kosovës. Merakun e tij e zgjidhi drejtori i Rrugëve, Andi Toma, duke thënë se janë parashikuar të mbillen rreth 12 mijë pemë.

Segmenti Milot-Morinë ka një gjatësi prej rreth 115 kilometrash. Ai ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë, Milot-Rrëshen (26 km), financuar nga Banka Botërore, IDA dhe Fondi i OPEC-ut, për më shumë se 30 milionë euro. E dyta, Rrëshen-Kalimash (61 km), përbën një autostradë me katër korsi në terren malor, e ndërtuar me financim të qeverisë (850 milionë euro) nga “Bechtel-Enka”, dhe pjesa e tretë, Kalimash-Morine (31 km), përfunduar në 2011 dhe kryesisht e përbërë nga një trase me katër korsi të dyfishta, e ndërtuar me paratë e buxhetit dhe firmat shqiptare, me vlerë mbi 35 milionë euro. Pra, nga shifrat duket qartë se pjesa që jepet me koncesion ka kushtuar afro 1 miliard euro dhe mirëmbajtja kërkon fonde, të cilat qeveria nuk mund t’i vërë në dispozicion në çdo kohë. Vetëm tuneli, 6 km, ka kushtuar për ta ndërtuar 280 milionë euro. Në fillim, qeveria mendoi të jepte me koncesion vetë pjesën e tunelit, pastaj të gjithë aksin Rrëshen-Kalimash. Ajo vendosi të japë me pagesë të gjithë aksin Milot-Morinë, pjesa afër kufirit me Kosovën.

Pagesa nuk duhet të jetë më e lartë se 5 euro, do të deklaronte pak kohë më parë ministri i Transporteve. Investimi i firmës fituese është detaj jo pak i rëndësishëm pasi përfshin disa elemente me vlerë rreth 100 milionë euro. Firma koncesionare ka të drejtë të menaxhojë autostradën dhe tunelin, duke aplikuar taksa, punime shtesë për stabilizimin e pjerrësive dhe masa mbrojtëse për të parandaluar mbylljen e rrugëve, për përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe për të reduktuar gradualisht kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. Përveç këtyre kushteve, koncesionari duhet të instalojë rrethimin e aksit, të ndriçojë të gjitha kryqëzimet, etj.(koha)