Eko Higjiena

Pagat e qeveritarëve po e “Hanë” buxhetin e qytetarëve

/ 8 minuta lexim

Njohës të fushës së politikës dhe ekonomisë, por edhe qytetarë të vendit, vlerësojnë se mosmiratimi i Projektligjit për pagat, tash kur qeveria ia rriti vetes rrogat, po zvarritet qëllimisht.

“Projektligji për pagat, me të cilin synohet nivelimi i pagave për punë të njëjta, të cilat paguhen nga buxheti i shtetit, u prit të shkojë në Kuvend edhe në muajin qershor të këtij viti, por prapë u neglizhua nga zyrtarët shtetërorë që po i gëzojnë pagat me rritjen të cilën e vendosën vetë ata. Përfitimet e tilla nuk dihet sa do të zgjasin, pasi që Ministria e Administratës Publike (MAP) është duke e zvarritur procedimin në Qeveri të Projektligjit për pagat, si deri më tani, duke ia mundësuar politikanëve tanë që t’ia caktojnë vetes shpërblimet sa të kenë qejf”, thekson Liridona Bislimi për gazetën “Kosova Sot”

Njohës të fushës së politikës dhe ekonomisë, por edhe qytetarë të vendit, vlerësojnë se mosmiratimi i Projektligjit për pagat, tash kur qeveria ia rriti vetes rrogat, po zvarritet qëllimisht.

Sipas tyre, zvarritja e miratimit të këtij ligji po bëhet qëllimisht, në mënyrë që të vazhdohet me këto paga të larta që po e hanë buxhetin e Kosovës. Qeveria po heziton që ta hartojë një ligj për paga, i cili nuk u nxor dot me qëllim nga asnjë qeveri dhe sot mbetet i bllokuar dhe nuk ka shans të bëhet gjatë këtij viti. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Administratës Publike se përse po zvarritet hartimi i projektligjit për pagat, i cili do ta rregullonte çështjen e pagave në sektorin publik, zyrtarët e Qeverisë dhe Ministrisë nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën .

Reshiti: Zgjatja e kaosit Analisti Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot” thotë se zvarritja e miratimit të Ligjit për paga nga koalicioni qeverisës është zgjatja e kaosit në administratën shtetërore dhe ruajtja e “dostave” të funksionarëve të pushtetit, të cilët janë emëruar pa asnjë kriter dhe pa meritë.”Efekti i zvarritjes së miratimit të Ligjit për paga po pengon kryerjen e reformës së administratës shtetërore, të cilën tash e sa kohë po e kërkon Brukseli. Ky neglizhim që Qeveria po e tregon ndaj miratimit të Ligjit për paga mund të kuptohet si fitim i kohës për mbijetesën politike të kryeministrit Haradinaj. Duke mbajtur opinionin varur për premtimin se së shpejti do të miratohet Ligji për paga, që është rregullatori i sistemit kaotik të pagave të sektorit publik, Haradinaj po ia zgjat vetes kullotjen e buxhetit të Kosovës përmes tenderëve milionësh për beton e asfalt”, është shprehur ai.

Fundamenti

Politologia Liridona Bislimi për gazetën “Kosova Sot” theksoi se Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kishin për detyrë që ta hartojnë Projektligjin për pagat para shumë kohësh, kur ishte miratuar në Qeverinë e kaluar të kryeministrit Isa Mustafa, në fund të vitit 2016, por një gjë e tillë nuk ndodhi, ani pse ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, kishte premtuar se në muajin prill të vitit 2015 do ta dorëzojnë për miratim në Qeverinë e Kosovës. Ajo thotë se Projektligji për pagat, me të cilin synohet nivelimi i pagave për punë të njëjta, të cilat paguhen nga buxheti i shtetit, është pritur të shkojë në Kuvend edhe në muajin qershor të këtij viti, por prapë u neglizhua nga zyrtarët shtetërorë që po i gëzojnë pagat me rritjen të cilën e vendosën vetë ata. Përfitimet e tilla nuk dihet sa do të zgjasin pasi që Ministria e Administratës Publike (MAP) është duke e zvarritur procedimin në Qeveri të Projektligjit për Paga si deri më tani, duke ua mundësuar politikanëve tanë që t’i caktojnë vetes shpërblimet sa të kenë qejf”. Së këndejmi, sipas analistes Bislimi, Projektligji për pagat thjesht është bllokuar vetëm për interesa të vazhdimit të shpërblimit të militantëve politikë gjithandej në institucione, duke shfrytëzuar mungesën e një ligji bazik, i bllokuar në mënyrë të qëllimshme dhe që i konvenon vetëm politikës në pushtet, që të përfitojnë vetëm grupet e rrjetit të organizuar të oligarkisë politike”. Ajo shton se mosmiratimi i Projektligjit për pagat sipas standardeve që kërkohen nga BE-ja, si dhe zvarritje e këtij ligji, ka ndikim të madh në koston buxhetore të shtetit e kjo dëshmon qartë se klasa politike në këtë vend preokupim parësor e ka rahatinë e vetvetes dhe militantëve të tyre partiakë dhe asgjë tjetër.

Pagat e pushtetarëve, më të mëdhatë në rajon Analistja Luljeta Aliu-Krasniqi për gazetën “Kosova Sot” thotë se pagat e pozitave të larta politike në Kosovë janë më të mëdhatë në rajon. “Kjo nuk ka si të justifikohet, kur dihet se ekonomikisht Kosova është mjaft e dobët në krahasim me rajonin. Por edhe politikisht nuk ka ndonjë argumentim që do ta arsyetonte nivelin e lartë të pagave të pozitave kyçe. Nuk është se këta funksionarë e kanë merituar në bazë të ndonjë performancë të shkëlqyer”, është shprehur ajo, teksa ka shtuar se arsyeja për pagat e larta është se në Kosovë ende nuk është miratuar Ligji për Pagat e Shërbyesve Civilë, i cili do të sistemonte pagat për punën e njëjtë në sektorë të ndryshëm. “Prandaj, si qeveria, po ashtu edhe institucionet e tjera publike e kanë pasur mundësinë të marrin vendime për rritjen e pagave sipas dëshirës së tyre. Kjo duhet të ndryshohet sa më shpejt. Madje Ligji për Pagat e Shërbyesve Civilë duhet të inkuadrojë edhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, të cilat kanë rroga shumëfish më të mëdha se mesatarja në Kosovë. Projektligji për pagat, që ishte paraparë të diskutohej në qershor, do të rregullonte edhe raportin mes pagës minimale dhe asaj maksimale në Kosovë. Projektligji do te¨siguronte koherencë, sepse sistemi i pagave është i fragmentuar, ka pabarazi në paga, nuk ka rregullim homogjen dhe kufizime ligjore”, është shprehur ajo.

Qytetarët të zhgënjyer me mosmiratimin e Projektligjit të pagave Qytetarët e Kosovës janë të indinjuar me Qeverinë ‘Haradinaj’ për mosmiratimin e Ligjit të pagave. Ata janë të mendimit se miratimi i Projektligjit për pagat po zvarritet qëllimisht tash kur Qeveria ia rriti vetes rrogat, në mënyrë që të zhvatet sa më shumë buxheti i qytetarëve.

Qytetari Arben Rraci, nga Klina, për gazetën “Kosova Sot” thotë se e tëra kjo bëhet qëllimisht nga ana e pushtetarëve tanë, që të zhvatet sa më shumë buxheti i vendit.”Sepse pushtetarët e tashëm porsa erdhën në pushtet i dyfishuan pagat për vete e populli le të vuajë se nuk e çajnë hallin për popullin. Jam i mendimit se fajtorë për këtë situatë janë populli dhe qytetarët që nuk dalin masovikisht në rrugë e të protestojnë deri në rrëzimin e kësaj qeverie nga pushteti. Unë jetoj në Perëndim dhe sikur atje të ndodhte një rritje e tillë e pagave, me dyfishim, menjëherë qytetarët do të ngriheshin masovikisht në protesta dhe nuk do t’i ndalnin ato deri në rrëzimin e Qeverisë. Këtu nuk është problemi tek pagat edhe nëse i kanë 5 mijë euro por pushtetarët tanë duhet që të punojnë për popullin dhe ta luftojnë krimin e korrupsionin që e ka kapluar Kosovën pas luftës. Andaj në këtë situatë mendoj se duhet që të jetë funksional sidomos sistemi i drejtësisë, pra gjyqësia e prokuroria, në mënyrë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit”, është shprehur ai për “Kosova Sot”.

Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Halil Mehmeti, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se nuk ka asnjë fije dyshimi se mosmiratimi i këtij ligji për pagat që nga paslufta e deri më sot po bëhet qëllimisht.”Kjo bëhet me qëllimin që të zhvatin sa më shumë buxhetin e vendit dhe që ta varfërojnë sa më shumë popullin. Kryesorja është që pushtetarët të ngopen me para, ndërsa populli le të ikë në Perëndim”. Mehmeti është i mendimit se pushtetarët tanë nuk guxojnë që të kenë pagat më të mëdha sesa që i kanë presidenti dhe kryeministri i Kroacisë dhe Serbisë kur dihet se te ne këto paga janë trefish më të mëdha sesa që i kanë pagat liderët shtetërorë të këtyre dy vendeve.