Paga mesatare në Kosovë, 309 euro

Numri më i madh i ndërmarrjeve në Kosovë merren me tregti, si rrjedhojë e kësaj, edhe numri i të punësuarve është më i madhi në këtë sektorë, ndërsa paga mesatare në vend thuhet të ketë qenë 309 euro. Këto rezultate i referohen vitit 2008-2011.
Në bazë të sektorëve ekonomik, numri më i madh i ndërmarrjeve në Kosovë i takon tregtisë me 47.7%, shërbimet biznesore me 11%, industria përpunuese 10.9%, transporti, depot dhe telekomunikacioni me 8.4%, hotelet dhe restorantet me 8.4%, shërbimet tjera me 6.6%, ndërtimtaria me 6.4%, industria nxjerrëse 0.5% si dhe prodhimi, shpërndarja e energjisë elektrike, e gazit, e avullit dhe ujit arrijnë rreth 0.2%.
Kjo bëhet e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin për “Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve në Kosovë 2008-2011”.
Në treguesit e publikuar nuk bëjnë pjesë sektorët e veprimtarive ekonomike si bujqësia, pylltaria, peshkimi, financa, kompanitë e sigurimeve dhe administratë publike. Numri total i ndërmarrjeve aktive (duke përjashtuar sektorët e lartpërmendur) gjatë vitit 2011, thuhet të ketë qenë rreth 41418.
Ndërsa sa i përket punësimit për sektorët ekonomik të cilat ishin pjesë e hulumtimit del që numri total i të punësuarve arrin shifrën 123 233, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 31.9%, industria përpunuese 16.8%, ndërtimtaria me 12.2%, transporti, depot dhe telekomunikacioni me 9.1%, shërbimet biznesore 8.8%, prodhimi, shpërndarja e energjisë elektrike, e gazit, e avullit dhe ujit me 8.7%, hotelet dhe restorantet me 5.2% si dhe sektorët tjerë kanë më pak se 5% të punësuar.
Karakteristik tjetër që vlen të përmendet është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet e që prapë dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 55.4 %, ndërtimtaria me 12.8%, industria përpunuese 12.0%, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.
Dhe për fund, u tha se pagës mesatare mujore thuhet të sillet rreth 309 euro në aktivitetet e përfshira në anketë. /Kosovapress/