Paditet komuna e Artanës, kërkohet ndërhyrje urgjente e Prokurorisë dhe Gjykatës

Gjilan – Rreth 37 qytetarë e kanë paditur komunën e Artanës për shkak të një vendimi skandaloz dhe kriminal që ka ndërmarrë kjo komunë për të varrosur kufomat, në një vend ku është i dedikuar për rekreacion. Pishat tek penda e Livoqit janë pasuri kombëtare dhe ato po keqpërdoren nga njerëz të pushtetit në Artanë të lidhur me krimin e nëntokës. Banorët thonë se revoltës së tyre u ka ardhur fundi dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente sidomos të Prokurorisë sepse Gjykata sipas tyre po heshtë tash e një vit dhe ende s`ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Pishat tek Penda e Livoqit janë aset jo vetëm komunal, por edhe shtetëror. Ky park që ka dhjetarë hektar me pisha e që dikur i takonte komunës së Gjilanit, tash nën administrim të Artanës, po shkatërrohet nga dora e njeriut, e ndihmuar edhe nga qeverisja komunale.

Pishat tani po gllabërohen e shkatërrohen, aty ka mbeturina e deponi, restorante e lokale biznesi dhe së fundit edhe një vend ku ka filluar varrosen edhe kufomat e njerëzve.

Banorët që ndodhen afër pishave janë të tmerruar me këtë degradim të kësaj natareje dhe kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e institucioneve qendrore, sidomos të Prokurorisë për të nisur hetimet rreth krimit të organizuar e korrupsionit që po lejohet në emër të këtyre pishave.

Banorët kanë bërë një padi ndaj komunës së Artanës, por janë të zhgënjyer me hapat e ngadalshëm të gjykatësit ose Gjykatës së Gjilanit, e cila edhe pas një viti nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

Ndryshe, padia është dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Artanë, dhe është bërë kundër komunës së Artanës dhe BIK-ut.

Paditësit janë: Murat Tahiri, Mehmet Tahiri, Emine Lakna, Behar Tahiri, Vnhar Tahiri, Edona Tahiri, Berat Tahiri, Ismet Tahiri, Fatime Tahiri, Hamide Beqiri, Bujar Tahiri, Tahir Tahiri, Muharrem Tahiri, Ali Tahiri, Fatmir Hajdini, Faton Hajdini, Valton Hajdini, Arton Hajdini, Riza Hajdini, Milaim Hajdini, Arben Hajdini, Faton Tahiri, Endrita Tahiri, Ismajl Tahiri, Besnik Hajdini, Visar Sadiku, Besim Hajdini, Halit Tahiri, Jeton Tahiri, Daut Tahiri, Mejreme Tahiri, Mirsi Tahiri, Driton Tahiri, Nexhmedin Xhaferi, Florentina Jerliu, Binaze Ajdini e Agim Ajdini, nga Pasjaku dhe Livoqi i Epërmë të cilët i përfaqëson avokati Halit Azemi.

“Padia është bërë për të kundërshtuar dhe ndaluar vendin e varrezave që për shumë arsye që nuk dihet se pse varrosen kufoma tek pishat. Në këtë padi thuhet se të paditurat janë marrë vesh në mes vete që varrezat e fshatit Pasjak dhe Livoq i Epërmë të jenë në ngastrën kadastrale në fshatin Koretishtë. Mirëpo caktimi i varrezave të paditësit ka shpallur indinjatë sepse është vendi i pishave dhe qytetarët e kanë përdorur për rekreacion dhe shëtitje ashtu që nuk është vend ideal dhe i përshtatshëm për vendosjen e varrezave, për çka qytetarët kanë ushtruar edhe peticion që ai vend mos të shfrytëzohet për varreza, por të gjendet ndonjë vend tjetër më i përshtatshëm me të cilën do të pajtohen edhe qytetarët” thuhet në padi.

“Meqenëse qytetarët nuk janë të kënaqur me caktimin e vendit të varrezave në këtë ngastër kadastrale i propozojmë gjykatës që pas shtjellimit të provave të aprovohet kërkesë padia dhe të ndalohet varrimi i kufomave dhe i propozojmë gjykatës që ta aprovojë edhe masën e sigurisë me ndalimin e varrimit në këtë ngastër” përfundon padia e qytetarëve e cila mbanë datën 25.09.2021 dhe është përfaqësuar nga Murat Tahiri.

Banorët thonë se kanë dëshirë që lënda të trajtohet edhe nga Prokuroria sepse aty ka elemente të krimit të organizuar që burim e kanë zyrën e kryetarit të komunës së Artanës dhe të gjithë vartësve të tij. Pishat janë një pasuri e madhe dhe ne nuk do të lejojmë që ta shkatërrojnë hajnat dhe krimi i organizuar./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS