Pacollit i përgatitet kallëzim penal

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli së shpejti pritet të përballet me organet e drejtësisë, nën dyshimin se ka kryer vepër penale përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit të institucionit shtetëror.
“Dosja Pacolli” tashmë është bërë gati nga Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit dhe brenda pak ditësh parashihet të procedohet në gjykatë.
Zyrtarë brenda AKK-së kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” se Pacolli ka qenë duke u hetuar për shkak të dyshimeve se kishte ofruar dokumentin jovalid gjatë kohës kur hetuesit e Agjencisë kanë qenë duke i analizuar disa memorandume që vitin e kaluar, si njeriu i dytë i Qeverisë i kishte nënshkruar në Nigeri, në emër të bizneseve evropiane.
Faktikisht Pacolli asokohe ka qenë duke u hetuar për konflikt interesi. Mirëpo tani sipas burimeve të gazetës, lënda e Pacollit ka marrë një trajtë krejt tjetër.
Tani Pacolli akuzohet se ka kryer vepra penale të dënueshme deri në dhjetë vjet burgim. Zyrtarë të lartë institucionalë presin se ai do ta lirojë detyrën zyrtare ashtu si ka vepruar Bujar Bukoshi. Qeveria ndërkaq është shprehur e gatshme t’u japë mbështetje organeve të drejtësisë që ta kryejnë punën në mënyrë profesionale dhe të pavarur.