Fundamenti

Pacolli: Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

/ 2 minuta lexim

Ministri i Jashtëm Pacolli pritet nga homologu zviceran Cassis, Kosova dhe Zvicra ri-konfirmojnë marrëdhëniet e veçanta.

Bernë – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka vazhduar turin diplomatik në Evropë me vizitën e tij në Konfederatën zvicerane.

Kryediplomati kosovar të premten u prit nga homologu i tij zviceran, Shefi i Departamentit për Pune të Jashtme, z. Ignazo Cassis.

Me këtë rast, Ministri i Jashtëm Pacolli ka falënderuar kryediplomatin zviceran për mbështetjen e fuqishme, që shteti zviceran i kishte dhënë vendit dhe popullit të Kosovës nëpër të gjitha periudhat më të vështira.

KKGJILAN

“Zvicra është ndër shtetet e para, që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe para kësaj, është ndër shtetet e para, që ka paraqitur pavarësinë si zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Ne, i jemi përjetësisht mirënjohës shtetit dhe popullit zviceran për këtë mbështetjeje të fuqishme dhe të parezervuar”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës.

“Lidhjet dhe afërsia në mes të Zvicrës dhe Kosovës nuk janë ndërtuar vetëm nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve, por një faktor i rëndësishëm në këtë rrugëtim ka qenë diaspora jonë, e cila vlerësohet të jetë rreth 200.000 (dyqind mijë) ”, është shprehur ai.

Në vazhdim të takimit, kryediplomatët e dy shteteve respektive kanë diskutuar në lidhje me thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndër-shtetërorë, me fokus të veçantë shfrytëzimin e potencialeve ende të pashfrytëzuara në aspektin ekonomik; sigurimin e mbështetjes së nevojshme nga shteti helvetik për anëtarësimin e Kosovës në Organizatat Evropiane dhe Ndërkombëtare; procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës; avancimin e Agjendës Evropiane dhe dialogun me Serbinë./rajonipress/