Pacolli: Veteranëve të rrejshëm t’iu ndalen pagat

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli ka propozuar se nëse zbulohet se në lista ka veteranë të rrejshëm, mjetet që i merrnin ata, të shkojnë tek familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë, se po ndjek me vëmendje të ashtuquajturën çështje të veteranëve të rrejshëm dhe e mirëkupton qëndrimin e aleatëve amerikanë rreth saj.

Postimi i plotë i Pacollit:

“Shteti duhet t’ia heqë paratë veteranëve të rrejshëm dhe t’ja japë ato mjete familjeve me viktima gjatë luftës

Po ndjek me vëmendje të ashtuquajturën çështje të veteranëve të rrejshëm.

E mirëkuptoj qëndrimin e aleatëve tanë amerikanë rreth saj; miqtë na ndihmojnë financiarisht dhe kanë të drejtë të dinë ku përfundojnë paratë e tyre. E mirëkuptoj dhe shqetësimin e shoqërisë civile. Nuk kam asnjë koment për çështjen sa kohë që po heton prokuroria, unë jam politikan dhe nuk dua të ndikoj tek drejtësia.

Por kam një propozim:

Nëse zbulohet se në lista ka veteranë të rrejshëm, unë do propozoj që mjetet që i merrnin ata, të shkojnë tek familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar.

Shteti i Kosovës, shoqëria ja u ka borxh këtyre familjeve që kanë një, dy apo më shumë viktima. Unë vetë ndihmoj shumë prej tyre, por shteti duhet të ndihmojë institucionalisht. Kështu do të bënim drejtësi të vërtetë me viktimat e luftës” , ka shkruar Pacolli.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë të premtën, duke folur rreth çështjes së listave të veteranëve, ka thënë se janë bërë gabime të mëdha, pasi në listën e veteranëve të rrejshëm janë futur veteranët e vërtetë.

Ai ka thënë se pensionin do të vazhdojnë ta marrin të gjithë dhe askujt nuk do t’i ndalohet derisa gjykata të marrë një verdikt në lidhje me këtë çështje. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).