Pacolli thumbon ‘shtabin e milionerëve’: Unë punova 35 vite për milionin e parë

Kreu i Aleancës Kosova e Re ka thumbuar ‘Shtabin e Milionerëve’ të cilët ditë më parë ishin subjekt i një emisioni në Klan Kosova si prodhim i gazetës Express. Pacolli ka shtruar pyetjen se si është e mundura që atij i janë dashur 35 vite për milionin e parë derisa anëtarët e këtij ‘shtabi’ u pasuruan shumë më shpejt dhe pa konkurrencë.
Sipas Pacollit për fat të keq në Kosovë do të ketë edhe më shumë milioner të tillë që po pasurohen në emër të qytetarëve. /Zeri/
Lexoni reagimin e plotë:
Të dashur miq,
Duke shikuar në Internet pashë edhe një herë emisionin investigativ “Shtabi i Milionerëve”.
Me siguri shumë qytetarë kanë pyetur si ka ndodhur ky pasurim i shpejtë i këtyre politikanëve që përmendeshin në atë emision. Këta paskan qenë dikur në shtabe lufte, që për qytetarët ishin si sinonim i së mirës dhe krenarisë patriotike kombëtare. Tash këta njerëz qenkan në një shtab tjetër, shtab milionerësh. Pra, paska ndërru edhe objektivi i luftës, luftë për miliona.
Unë milionin e parë e bëra me shumë vështirësi, punë 35 vjeçare e sakrifica, jashtë shtetit, në një konkurrencë të ashpër të ekonomisë së tregut të lirë, duke konkurruar me mendjet më kreative të botës, ndërsa anëtarët e Shtabit të Milionerëve pasurinë e tyre, siç e pashë, e kishin krijuar pa hasur në kurrfarë vështirësie e pa konkurrencë. Unë i habitur pyes: nga ku, nga puna apo Buxheti i Kosovës?
Shumë e fortë qenka Kosova që u paska sjellë shumë fat njerëzve të caktuar të cilët i shohim dhe për të cilët dëgjojmë çdo ditë.
Por ka një problem, Kosova e udhëhequr nga këta njerëz deri tani nuk u solli këtë fat qytetarëve të vet.
Për fat të keq, ne shumë shpejt, ndoshta do të shohim edhe milionerë të tjerë që u pasuruan nga paratë tona (para që ia kishim dedikuar kauzës tonë në Kosovë) që një pjesë e madhe e tyre kurrë nuk shkuan aty ku duhet.