Pacolli: S’kemi bërë asgjë për të dokumentuar krimin ndaj nesh

Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli thotë se nesër Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë themelimin e një Gjykate Speciale, dhe kjo sipas tij s’është “çudi që ra nga qielli”. Ai e ka cilësuar këtë një ngjarje ejo të zakonshme që nuk ndodh çdo ditë. E ai ka bindjen se kjo nuk është produkt i politikës ditore.
“Për këtë vendim janë investuar nivelet më të larta të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve, pra miqve tanë ndërkombëtarë. Ky vendim me pasojat që do të prodhojë, është një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare. Ky vendim nuk është thjesht ngjarje me rëndësi kosovare, pra brenda kufijve tanë. Si e tillë, kjo ngjarje nuk mund të shihet si ngjarjet e përditshmërisë sonë, së fshatit tonë, të katundit tonë, të komunës sonë”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli ka thënë se gjatë 15 vjetëve të lirisë Kosova nuk është marrë seriozisht me dokumentimin ndërkombëtar të krimeve të kryera ndaj jetës së 12 mijë qytetarëve të vrarë, dhunimeve të grave, shkatërrimit të xhamive, dhe objekteve të kultit, shkatërrimit të shtëpive dhe ekonomisë , zhdukjes së mijëra qytetarëve.
“Ne jemi mjaftuar me konferenca vendore, me akademi solemne, me ndeja pa kurrfarë jehone ndërkombëtare. Serbia nuk ka bërë kështu, ajo nuk ka ndenjur duarkryq.
Ajo është përpjekur ta rëndojë peshoren e drejtësisë nga ana e kriminelit”, ka thënë Pacolli. “Ashtu si në një lojë sportive, nëse ti nuk sulmon atëherë të sulmon tjetri, dhe do të duhet të mbrohesh. Kështu kemi mbërritur në ditën kur Kuvendi do të marrë vendimin për themelimin e kësaj gjykate speciale. Nëse atëherë dhe sot do të mendonim ndërkombëtarisht, do të kishim vizion, me gjasë nuk do arrinim në ditën e sotme”, ka shkruar ai.