Pacolli shpërthen me akuza të rënda: Po bllokohet Aeroporti i Vlorës me vetëgjyqësi, SPAK të ndërhyjë urgjentisht
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me situatën e krijuar në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur një sërë akuzash të rënda ndaj personave dhe grupeve që, sipas tij, po pengojnë përfundimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri.
Përmes një deklarate publike, Pacolli shtron pyetjen se si është e mundur që një grup privat, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, të bllokojë një rrugë publike pa asnjë bazë ligjore, duke ushtruar vetëgjyqësi dhe, sipas tij, nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Ai thekson se mediat shqiptare dhe ndërkombëtare prej ditësh po raportojnë për situatën që po zhvillohet në hyrje të arealit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë si një realitet të papranueshëm për një shtet ligjor.
“Kjo po ndodh në Republikën e Shqipërisë”, shprehet Pacolli, duke pretenduar se prej muajsh grupe që ai i cilëson si të jashtëligjshme dhe të lidhura me Valon Ademin, të mbështetura nga forca të Policisë së Shtetit, kanë bllokuar akceset dhe madje edhe rrugën publike që të çon drejt hyrjes së aeroportit.
Sipas tij, si pasojë e kësaj bllokade është penguar lëvizja e lirë e punonjësve, të cilëve u është mohuar e drejta kushtetuese për të punuar, ndërsa janë cenuar edhe posedimi dhe përdorimi i mjeteve dhe pajisjeve të punës.
Pacolli e konsideron këtë situatë një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për shtetin e së drejtës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e institucioneve publike që, sipas tij, kanë detyrim të garantojnë rendin, ligjshmërinë dhe të drejtat e qytetarëve, e jo të tolerojnë apo mbështesin veprime arbitrare dhe të paligjshme.
Në deklaratën e tij ai kërkon që opinioni publik të marrë përgjigje për një sërë çështjesh që i konsideron thelbësore:
Kush e ka autorizuar këtë bllokadë?
Mbi çfarë baze ligjore është bllokuar një rrugë publike?
Kush mban përgjegjësi për pengimin e aktivitetit normal të një projekti me rëndësi kombëtare?
Kush po nxit konfliktin dhe kujt i shërben përshkallëzimi i kësaj situate?
Kush po i inkurajon grupet private të marrin përsipër funksione që i përkasin vetëm shtetit dhe institucioneve të tij?
Kush po e pengon qëllimisht përfundimin dhe hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe për çfarë interesash?
Pacolli u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe institucioneve të tjera kompetente, që të nisin menjëherë hetime për situatën e krijuar.
Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë vetëm me një mosmarrëveshje tregtare apo kontraktore, por prek drejtpërdrejt sundimin e ligjit, sigurinë juridike, funksionimin e institucioneve shtetërore dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Nuk është thjesht një konflikt biznesi. Është një çështje e funksionimit të shtetit ligjor. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të lejohet të zëvendësojë shtetin me vetëgjyqësi”, thekson Pacolli.
Ai rithekson se përfundimi dhe vënia në funksion e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është në interes të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa kërkon që pengesat dhe bllokadat që po shoqërojnë projektin të marrin fund përmes veprimit të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit./rajonipress/

