RCCOLA

Pacolli sërish president i AKR-së?

/ 2 minuta lexim

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh zëvendëspresidente e Aleancës për Kosovë të Re (AKR), ka thënë për Telegrafin se beson që shefi i partisë së saj, Behgjet Pacolli, ka ende energji për ta vazhduar betejën e tij në politikë.Ajo ka theksuar se nuk e ka menduar mundësinë që ta sfidojë të parin e partisë, duke shtuar se “kjo pritet që të vendoset në të ardhmen”.

“Presidenti Pacolli ka dëshmuar se ende ka energji për ta vazhduar angazhimin e tij në politikë. Unë e kam vërejtur që ka vullnet dhe energji. Duke marrë parasysh angazhimet e mija si kryetare e Gjakovës, unë mendoj se ‘presidenti Pacolli do të duhej të vazhdojë edhe një mandat ta drejtojë partinë’.

Ndërsa, e pyetur se, pas rënies të cilën e ka pësuar AKR-ja në zgjedhjet e fundit lokale (duke mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës), a mund të rikthehet kjo parti në skenën politike, ajo ka theksuar se “do ta trajtojnë seriozisht këtë çështje me bashkpartiakët e saj, duke shtuar “se fuqizimi i këtij subjekti politik (rikthimi i elektoratit) do të jetë domosdoshmëri e kohës”.

Mobi Casa

Ndryshe, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, muajin mars të këtij viti, kishte deklaruar në media se dëshiron të pasojë Behgjet Pacollin në krye të Aleancës Kosova e Re.

Zëvendëspresidentja e AKR-së kishte deklaruar se kur të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë për të shpallur zgjedhjet partiake, ajo do të njoftojë kandidaturën e saj.

“Unë kam paralajmëruar që do të shpall kandidaturën time për kreun e partisë. Besoj që Aleancës Kosova e Re i duhet një qasje e re me elektoratin. Ne prapë do të vazhdojmë të mbajmë si shtyllë të programit dhe vizionit tonë agjendën zhvillimore të Kosovës, në veçanti në sektorin ekonomik dhe në forcimin e institucioneve, si dhe në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, kishte thënë Mimoza Kusari-Lila. /Telegrafi/