Pacolli: Programi qeverisës i AKR-së do të dalë nga kërkesat e qytetarëve
Gjilan – Kryesia e AKR-së në Kamenicë ka mbajtur një takim pune me Presidentin e AKR-së Behgjet Pacolli dhe këshilltarin e tij Jetlir Zyberaj.
Në takim u diskutuan çështje organizative të degës. Kryetari i Degës Fatmir Matoshi ka paraqitur një raport të aktiviteteve të AKR-së nga mbajtja e kuvendit zgjedhor në shkurt. “Janë me qindra anëtarë të rinj të regjistruar pas mbajtjes së këtij kuvendi, kanë ndodhur shumë aderime të njerëzve kredibil, janë themeluar dhe ristrukturuar shumë nëndegë dhe jemi të bindur se AKR nuk ka qenë kurrë më parë më e organizuar dhe me e gatshme për të marrë përgjegjesi që Kamenicës t`ia kthej dinjitetin me një qeverisje të përgjegjshme, të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve” ka thënë Matoshi.
Në këtë takim u fol për përgatitjet për zgjedhjet lokale, Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ka ofruar mbështetje të plotë për hartimin dhe zbatimin e programit qeverisës. “Programi qeverisës i AKR-së në Kamenicë duhet të dalë nga kërkesat e qytetarëve, të jetë një program praktik i cili do të gjejë zbatim në teren dhe për këtë do ta keni mbështetjen e plotë. Dega e AKR-së në Kamenicë është në prioritetet më të larta të partisë dhe me plot bindje e them se presim fitore të thellë këtu” tha Presidenti Pacolli.
Ai më pas ka njoftuar kryesinë e degës së është në kontakte të vazhdueshme me shumë investitorë të cilët janë të gatshëm të investojnë në Kamenicën e udhëhequr nga AKR-ja. “E rikonfirmoj se investimet e para në Kamenicë do të ndodhin gjatë kësaj vere, e them me plot bindje dhe siguri se Kamenica do të bëhet model i zhvillimit në Kosovë” tha Presidenti Pacolli.
Dega e AKR-së në Kamenicë pret të publikoj ditët e ardhme edhe aderime të reja të njerëzve të vlerësuar në rrethet ku jetojnë dhe është në fazën e krijimit të shtabit zgjedhor të degës, identifikimit të kandidatëve të mundshëm për këshilltar komunal dhe përgatitjeve të programit qeverisës.
Takimi i AKR-së ka vazhduar me diskutimet e pjesëmarrësve, nga të cilat dolën ide të ndryshme për zhvillimet e mëtutjeshme në Komunë./rajonipress/


