Pacolli: Po të isha unë president, Kosova do të kishte 180 njohje
Gjilan – Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka qëndruar këtë të diel në qytetin e Gjilanit, ku ka vizituar përfaqësues të bizneseve atje. Gjatë bisedave shqetësim i madh për prodhuesit kanë qenë taksat shumë të larta, më pas edhe favorizimi që iu bëhet importuesve të mallrave në Kosovë, që i bën bizneset tona të bartin kapitalin jashtë vendit.
“Një shqetësim tjetër i përbashkët i z. Pacollit së bashku me biznesmenët ishte se, kur prodhuesit vendor eksportojnë mbi dy, tri e më shumë maune me mall, vendet fqinje atëherë fillojnë të vënë taksa dhe kushte të cilat bëjnë të pamundur vazhdimin e eksportit më tutje”, shkruan në komunikatën e AKR-së.
“Bizneset dhe Pacolli shprehën edhe një shqetësim tjetër të përbashkët se Qeveria e Kosovës është bërë konkurrenti më i madh i bizneseve në Kosovë”
“Presidenti Pacolli gjithashtu shprehu shqetësimin se fillimi i zbatimit të MSA-së për Kosovën nga viti i ardhshëm, do të dëmtoj bizneset në Kosovë pasi janë në një gjendje jo të mirë për të bërë konkurrencë me kompanitë e Bashkimit Evropian, si pasojë e politikave të dëmshme që ka tani Kosova, që nuk është bërë asgjë për t’i përgatitur për tregun e BE-së, dhe njëkohësisht do ta lërë pa buxhet vendin, pasi buxheti i Kosovës kryesisht mbushet nga të hyrat doganore”
Pacolli në Gjilan shpreh i gatshëm që me qeverisjen e partisë së tij këto dhe probleme të tjera do të rregullohen dhe do të ju ofrohen shumë lehtësira për të bërë biznes në Kosovë dhe të eksportojnë jashtë vendit.
“Kosova ka fuqinë që ta kthej veten në binar, duke e dashur punën dhe duke i ofruar vetës alternativë të re, pasi nëse vazhdohet me këtë mendësi politike, Kosova do të jetë pika e zezë e Ballkanit dhe barrë për Bashkësinë Ndërkombëtare.”
Pacolli gjatë qëndrimit të tij në Gjilan këto probleme i trajtoj me pronarët dhe udhëheqësit e fabrikës së ujit “Dea”, fabrikës së lëngjeve “Fluidi”, dhe fabrikës së tepihëve “Integj”.
Në Gjilan Pacolli zhvilloi edhe takime me të rinj, mbështetja e të cilëve nuk mungoi.
Pacolli ngriti atje edhe çështjen e njohjeve ndërkombëtare, ku tha se vendi ka de fakto 112 njohje, ndërsa de jure ka 109 njohje, por që ai po të vazhdonte ai mandatin si president Kosova deri më tani do të kishte rreth 180 njohje./rajonipress/


