RCCOLA

Pacolli: Platforma agro-ekonomike është shans i madh për Gjilanin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministër i qeverisë së Kosovës, tha se Gjilani dhe Kamenica duhet të gjejnë një hapësirë prej mbi 200 hektarësh, për të krijuar një zonë të madhe ekonomike, e cila gjithsesi duhet të jetë afër me Serbinë dhe Maqedoninë, për shkak të shqiptarëve që jetojnë në këto dy shtete fqinje. “Zona e lirë ekonomike mund të ndihmojë fuqishëm zhvillimin e një ane”, ka thënë Pacolli.

Ideja për krijimin e një zone të lirë ekonomike në rajonin e Anamoravës, është diskutuar të martën edhe në Gjilan nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli dhe drejtuesit e Komunave Gjilan e Kamenicë, Lutfi Haziri e Begzad Sinani, me ekonomistët e kësaj pjese të Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe ministrat Fadil Ismajli (MZHE) dhe Bernard Nikaj (MTI).

Fillimisht, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se vizitat e këtyre ditëve të qeveritarëve në Gjilan, janë shenjë se po kthehet kujdesi i munguar për këtë rajon, për disa vite. Haziri tha se Gjilani është komuna e vetme në Kosovë që ka pasur më shumë shpenzime për mallra dhe shërbime se sa për investime, ndonëse është një qytet i rëndësishëm për këtë rajon, raporton rajonipress.

Rruga Gjilan-Prishtinë, Gjilan-Ferizaj, Gjilan – Dheu i Bardhë, Gjilan-Kumanovë, nëpërmjet Stançiqit dhe Gjilan-Preshevë, sikurse dhe infrastruktura tjetër rrugore, janë detyra që duhet të realizohen sa më shpejt, ka thënë ai.

Prej vitit 2004, Gjilani është qendër e mikro-regjionit evropian, që përfshin 17 komuna, nga tri shtete të ndryshme. Si i tillë, Gjilani duhet patjetër të përfshihet në makro-planin investues të qeverisë së vendit, ka thënë Haziri.

Kurse Ismajl Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se gjatë viteve të kaluara, në këtë regjion është investuar më së paku dhe kjo ngecje në ndërtimin e infrastrukturës, ka ndikuar edhe në moszhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministër i qeverisë së Kosovës, tha se Gjilani dhe Kamenica duhet të gjejnë një hapësirë prej mbi 200 hektarësh, për të krijuar një zonë të madhe ekonomike, e cila gjithsesi duhet të jetë afër me Serbinë dhe Maqedoninë, për shkak të shqiptarëve që jetojnë në këto dy shtete fqinje. “Zona e lirë ekonomike mund të ndihmojë fuqishëm zhvillimin e një ane”, ka thënë Pacolli.

RCCOLA

Duke folur në cilësinë e zëvendëskryeministrit, Pacolli tha se kësaj ane i është bërë një dëm i madh deri tani, duke e anashkaluar padrejtësisht nga investimet, edhe pse është pjesë e rëndësishme e Kosovës. Por, megjithatë, shpresat dhe mundësitë për Gjilanin janë të mëdha, ka thënë ai.

Sa i përket projektit të autostradës Prishtinë-Shkup, Pacolli tha se ai është kundër saj, sepse e redukton për 60 për qind qarkullimin në autostradën e kombit dhe e dëmton projektin për tregun kombëtar, që ka filluar me energjetikën. Investitori kërkon treg më të madh dhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup e dëmton këtë interes.

Sipas meje, ka thënë Pacolli, autostrada duhet të bëhet deri në Ferizaj dhe prej aty të devijojë në drejtim të Gjilanit, për t`u lidhur me pikën kufitare në ‘Dheu i Bardhë’. Për këtë ide të tij, ai ka kërkuar përkrahjen e komunave të Anamoravës.

Ndërkohë, si resurse të veçanta në këtë regjion, pos platformës agro-ekonomike, ai ka përmendur ujët e kuq mbi Zhegër, që është shumë i rrallë në botë dhe ku mund të bëhet një qendër e fuqishme shëruese dhe rehabilituese. Ndërkaq, Kamenica e ka kaolinin, që është material shumë i rrallë në botë dhe ka vlerë të madhe, ka thënë Pacolli.

Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik e Bernard Nikaj, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, premtuan përkrahje për krijimin e zonave të lira ekonomike, përfshirë edhe Gjilanin.

Për bizneset prodhuese është siguruar një fond prej 4 milionë euro dhe javën e ardhshme do të shpallet ftesa e parë për aplikim, ka thënë Nikaj, duke inkurajuar bizneset që të shfrytëzojnë këtë mundësi, që është krijuar nga Bashkimi Evropian, me 3 milionë euro dhe MTI-ja, që ka siguruar një milion tjera./rajonipress/